Thaçi: Nëse rritet numri i të infektuarve me Covid-19 do të rikthehen masat kufizuese

Thaçi: Nëse rritet numri i të infektuarve…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve me koronavirus, atëherë institucionet shëndetësore do të kthejnë prapë masat e kufizimit.

Në një konferencë për mediat, Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, në mënyrë që të mos përhapet më shumë virusi COVID-19.

Hashim Thaçi: “Kemi rritje të numrit të infektuarve, kjo rrezikon krejt atë që ne e kemi arritur deri më tani, rrezikon ta përmbysë punën e mrekullueshme që kanë bërë mjekët, gjithë ata profesionistë që punuan natë e ditë në mënyrë që ta kalojmë më lehtë pandeminë.

Përsëris rekomandimet që të mbahet distanca, të mbajmë maskat, sepse vetëm kështu ruajmë jetën tonë dhe jetën e të afërmeve tonë. Institucionet e shtetit do të detyrohen të kthejnë masat për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Kjo do ta dëmtojë shëndetin dhe ekonominë”.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar 31 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 1234 raste.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit