Tharja e frikshme e liqenit të Kukësit, disa zona prej më shumë se 7 orësh pa drita

Tharja e frikshme e liqenit të Kukësit,…

Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta kanë sjellë një sërë problematikash në qarkun e Kukësit, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa zona. Prej rreth shtatë orësh, qyteti i Kukësit dhe pjesa më e madhe e fshatrave të bashkisë janë pa energji elektrike.

Situata paraqitet problematike edhe në bashkitë Has dhe Tropojë, ku gjithashtu raportohen ndërprerje dhe vështirësi në furnizimin me energji. Përveç problemeve me energjinë, moti i paqëndrueshëm ka ndikuar edhe në qarkullimin rrugor. Në disa akse nacionale janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh në trupin e rrugës, duke krijuar vështirësi për lëvizjen e automjeteve. Drejtuesve u bëhet apel të udhëtojnë me kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me problematika.

Por reshjet e ditëve të fundit nuk kanë sjellë vetëm vështirësi. Shtimi i prurjeve nga reshjet ka nisur të japë efektet e para në liqenin e Kukësit, ku niveli i ujit ka shënuar sot një rritje, për herë të parë pas gjashtë muajsh.

Ky ndryshim vjen pas një periudhe të gjatë me nivele të ulëta. Për afro dy javë, liqeni kishte arritur kuota kritike, ndërsa tërheqja e ujit kishte nxjerrë në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, të cilat në kushte normale qëndrojnë nën ujë.

Ndërsa pritet përmirësimi i situatës me energjinë elektrike, kushtet atmosferike mbeten një shqetësim për banorët e zonës. Reshjet dhe erërat e forta kërkojnë vigjilencë të shtuar, veçanërisht në akset rrugore ku janë konstatuar rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit