“The OpenAI Files”, një projekt transparence që luhat dominimin e Open AI

“The OpenAI Files”, një projekt transparence që…

Dokumentet e publikuara kërkojnë standarde të larta drejtimi dhe përgjegjshmërie për zhvillimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale nga OpenAI dhe kompani të tjera

Organizatat jofitimprurëse “Midas Project” dhe “Tech Oversight Project” kanë bashkuar forcat për të nisur një nismë të re: The OpenAI Files. Ky projekt arkivor synon të sjellë në dritë shqetësimet e grumbulluara lidhur me drejtimin, integritetin e lidershipit dhe kulturën organizative të kompanisë OpenAI.

Nisma vjen në një kohë kur Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, ka deklaruar publikisht se njerëzimi është vetëm disa vite larg krijimit të një inteligjence të përgjithshme artificiale (AGI), e cila mund të zëvendësojë pjesën më të madhe të punës njerëzore. Kjo mundësi, përveç potencialit të jashtëzakonshëm, ngre shqetësime serioze për pasojat sociale dhe drejtimin etik të këtij zhvillimi.

Në dokumentet e “The OpenAI Files” theksohet se ndërtimi i AGI duhet të udhëhiqet nga një strukturë drejtimi që përfaqëson seriozitetin e misionit dhe që vendos standarde të larta për transparencën, etikën dhe përgjegjësinë. Sipas tyre, kompanitë që garojnë për të ndërtuar AGI duhet të mbajnë mbi vete një përgjegjësi shumë më të madhe sesa ajo që po shfaqin aktualisht.

Deri më sot, gara për dominimin në fushën e inteligjencës artificiale është përkthyer në një model rritjeje të pamatur. Kompani si OpenAI kanë mbledhur të dhëna në shkallë të gjerë pa marrë pëlqim, kanë ndërtuar qendra të mëdha të të dhënave që rrisin ndjeshëm konsumin e energjisë dhe po nxitojnë në komercializimin e produkteve, shpesh pa vendosur mekanizma të duhur sigurie.

OpenAI, e cila fillimisht funksiononte si një organizatë jofitimprurëse me kufizim të fitimeve për investitorët (maksimumi 100-fish), ka ndryshuar rrënjësisht modelin e saj strukturor. Sipas dokumenteve, kompania ka hequr kufirin e fitimeve për të kënaqur kërkesat e investitorëve që kanë kushtëzuar financimin me reforma strukturore.

“The OpenAI Files” gjithashtu zbulojnë shqetësime rreth mënyrës së papërgjegjshme të vlerësimit të sigurisë nga ana e OpenAI dhe kulturës së “pakujdesisë” brenda kompanisë. Gjithashtu, përmendet ndikimi që mund të kenë konfliktet e interesit në bord, përfshirë edhe vetë Altmanin, për shkak të investimeve të mundshme në startup-e që operojnë në të njëjtat fusha si OpenAI.

Në dosje theksohet se integriteti i Altmanit ka qenë në dyshim që prej vitit 2023, kur disa punonjës të nivelit të lartë tentuan ta largonin për “sjellje mashtruese dhe kaotike”. Ilya Sutskever, ish-shef shkencor i OpenAI, thuhet se ka deklaruar: “Nuk besoj se Sami është njeriu që duhet të ketë gishtin mbi butonin e AGI-së.”

Nisma The OpenAI Files synon të zhvendosë debatin nga ideja e “pashmangshmërisë” së AGI-së, drejt një kërkese për “llogaridhënie” dhe kontroll publik. Ajo synon të hapë kutinë e mbyllur të zhvillimit të AGI-së dhe të vendosë në qendër të debatit publik transparencën dhe të drejtën e njerëzimit për të pasur fjalën e vet në këtë proces jetik.

Në thelb, këto dokumente bëjnë thirrje që fuqia e përqendruar në pak duar të vihet nën lupën e vëmendjes ndërkombëtare, me qëllim që të shmangen gabimet që mund të kenë pasoja të pakthyeshme për të ardhmen e shoqërisë njerëzore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit