Thellohet skandali/ Sotiraq Filo "legalizoi" ndërtimet pa leje në Malin e Moravës

Thellohet skandali/ Sotiraq Filo “legalizoi” ndërtimet pa…

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ka “legalizuar” me dashje ndërtimet pa leje në Malin e Moravës, duke sfiduar hapur institucionet e drejtësisë. Gazeta Atdheu ka publikuar një seri investigimesh, sesi kreu i qytetit juglindor ka lidhje të ngushta me familjen e falsifikatorit Arben Reli. Madje, faktuam se Filo del në fotografi me pjesëtarë të kësaj familje në ambientet e brendshme të një resorti me emër fals “Montrelux”. Por, skandali thellohet akoma më tej! Sipas fotografive që disponon redaksia, Filo ka certifikuar këtë resort. Në foto duket qartë se Filo i jep një dokument pjesëtarëve të familjes Reli.

Siç shihet edhe në këtë dokument, Filo i jep familjes Reli një certifikatë kategorizimi, për strukturë akomoduese. “Kjo certifikatë i lëshohet subjektit ‘Montrelux’ sh.p.k, me adresë qendra turistike Mali i Moravës, Korçë” thuhet në këtë dokument. Kjo certifikatë i është dhënë në muajin shkurt 2020. Por, a e dinte Filo që ky subjekt kishte emër të falsifikuar? Nëse nuk kishte informacion, po i citojmë vendimin e prokurorisë; Arben Reli anashkaloi ortakun S.B. dhe e regjistroi subjektin me emrin ‘Montrelux’. Por, nëse justifikohet se ky informacion është sekret i prokurorisë, po veprimet e vetë Bashkisë së Korçës, a kishte dijeni? Në të njëjtën kohë kur ka lëshuar këtë certifikatë, në këtë resort me emër fals po bëheshin punime. Dhe, këto punime vetëm me një deklaratë të thjeshtë, që parashikonin punime të brendshme. Po, përse z.Filo nuk pa nga dritarja? Apo të paktën të pyeste vartësit e tij? Nëse ende nuk ka informacion po e informojmë se Drejtoresha e Urbanistikës dhe kryeinspektori i IMT-së kanë deklaruar se punimet në atë resort janë bërë pa leje. Por, sërish Filo nuk reagoi, të paktën të ushtronte detyrën e tij si kryetar bashkie. Përse nuk bëri kallëzim në prokurori për ndërtim pa leje? Apo, nëse s’kishin vepruar vartësit, përse nuk i kallëzoi vartësit? Por, të gjitha këto mosveprime të çojnë në një shpërdorim të hapur të detyrës nga kryetari i Bashkisë, i cili me ketë vepër rrezikon një dënim me disa vite burg.

Gazeta Atdheu ka investiguar në vijimësi veprimet e disa institucioneve për “kafshimin” e Malit të Moravës dhe mosveprimin e disa institucioneve. Dhe, për kujtesë të z.Filo, apo të ndonjë zyrtari tjetër, që marrin guximin dhe dalin në fotografi me falsifikuesit, ndërtuesit rrezikojnë një dënim deri në 10 vite burg. Gjykata, Prokuroria, Kadastra dhe vetë Bashkia e Korçës kanë konstatuar mijëra metra katrorë ndërtim pa leje në këtë resort. A i pa këto ndërtime Sotiraq Filo kur pozoi në ambientet e këtij resorti, me emër fals? Në muajt e dimrit 2020, në atë vend ishin hapur themele. Ishte hedhur beton, llaç e tulla. Madje, po bëhej edhe çati. Të gjitha, me vetëm një deklaratë punimesh, ku parashikohej të bëheshin punime të brendshme.

Për të gjitha këto problematika, janë hapur procedime penale me disa akuza. Akuza e parë është ndërtimi pa leje, ndërsa dosja është regjistruar në akuzat e Tiranës dhe Korçës edhe për “shpërdorim detyre”, “falsifikim i dokumenteve”, “prerje e paligjshme pyjesh” si dhe “mashtrim me pasoja të rënda”. Ka dosje të hapura edhe për shpërdorim detyre. Por, pas rastit të Lushnjes, a e kanë radhën zyrtarët e Bashkisë së Korçës? Faktet janë aty, mjafton që gjithkush në Korçë të shohë vetëm nga Mali i Moravës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit