Thyhen kolonat e shek.III në Parkun Arkeologjik të Apolonisë/ Drejtuesit: Fajin e ka Koronavirusi

Thyhen kolonat e shek.III në Parkun Arkeologjik…

Një denoncim publik i bërë nga faqja “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” zbuloi një skandal të mbajtur të fshehtë nga drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dhe Ministrisë së Kulturës. “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore” publikoi një foto të një kolone të thyer të Nymfeut të Apolonisë, që konsiderohet si një monument unik i shek.III p.e.s.

Pas reagimeve të shumta nga studiues të trashëgimisë kulturore dhe historisë së vendit, nuk ka munguar edhe prononcimi nga ana e drejtueseve të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Në një deklaratë thuhet se në fakt janë dëmtuar dy kolona të fasadës dhe ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës së pandemisë, kur i gjithë vendi ka qenë në izolim.

Parku Arkeologjik i Apolonisë thotë se menjëherë në ditën që kolonat janë gjetur të thyera është bërë denoncimi në polici, është njoftuar Ministria e Kulturës dhe se çështja i ka kaluar organeve kompetente.

Dy kolona të fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë, fatkeqësisht, dëmtuar dy muaj më parë, gjatë periudhës së izolimit për shkak të Covid 19. Kolonat janë gjetur të thyera në datën 13 prill.

Po atë ditë, pas mbajtjes së procesverbalit nga Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, është lajmëruar Ministria e Kulturës dhe është bërë denoncimi në Polici. Ekspertët e kësaj të fundit kanë ardhur në sit po atë ditë dhe kanë konstatuar dëmet në terren. Tashmë çështja po trajtohet nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu është bërë e ditur se duke u konsultuar me restauratorë dhe arkeologë, është bërë gati një projekt restaurimi që është paraqitur për aprovim pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve.

Reagimi i Neritan Cekës

Në lidhje me skandalin ka reaguar edhe profesori e arkeologu i njohur, Neritan Ceka. Ai është drejtuar me një deklaratë Ministres së Kulturës, Elva Margaritit, duke u shprehur se është e vështirë të gjejë një gjuhë komunikimi me ata që shkatërrojnë pasurinë e arkeologëve të shquar shqiptarë.

Zonja ministre e Kulturës, këtë monument të shkatërruar barbarisht 200 metra nga zyra e drejtoreshës së Parkut Apolloni – Bylis, e ka zbuluar miku i gjyshit tuaj, Hasan Ceka, të cilin e kam asistuar unë deri në zbulimin e plotë, dhe e ka restauruar Koço Zheku i Institutit të Monumenteve. Është i vetmi monument i këtij lloji në botën antike. Më thoni tani se me çfarë gjuhe duhet të flas me ronxho bonxhot që menaxhojnë këtë pasuri që arkeologët shqiptarë e krijuan me aq mund për 50 vjet. Mund të më thoni përse nuk u rrethua monumenti me ato 800.000 eurot që shpenzuat në Apolloni? Akoma do vazhdoni t’i mbroni këta shkatërrimtarë? Me shumë keqardhje dhe revoltë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit