Transferimi i sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, drejt gjigantit rus Spartak i Moskës pritet të zyrtarizohet së shpejti, por futbollisti nga Kosova po përballet me një klimë të ashpër armiqësore ende pa e veshur zyrtarisht fanellën e klubit të ri.
Së fundmi, një pjesë e organizuar e tifozërisë së Spartakut, e njohur si grupi ultras “Crazy North”, ka dalë publikisht kundër afrimit të Dakut në skuadër, duke përdorur gjuhë të rëndë urrejtjeje dhe mesazhe fyese me prapavijë politike e etnike ndaj shqiptarëve.
Në kanalin e tyre zyrtar në Telegram, grupi ekstremist i tifozëve ka publikuar një reagim ku shprehet hapur kundër këtij transferimi, duke shfaqur paralelisht edhe një pankartë me mbishkrimin fyes: “Fundërrina shqiptare, jashtë!”.
Në reagimin e grupit ultras shkruhet:
“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Ne mbështesim popullin vëlla serb dhe qëndrimi ynë veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve, mbetet i pandryshuar.”
Ky reagim skandaloz i bazuar në motive etnike vjen në një moment kur marrëveshja mes palëve është drejt finalizimit, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reagojë drejtuesit e klubit të Spartakut të Moskës dhe vetë futbollisti përballë këtij presioni.