Tik Tok drejt mbylljes në Amerikë

Tik Tok drejt mbylljes në Amerikë

Sipas një projektligji të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompanisë kineze “Byte dance” do t’i kërkohet shitja e aksioneve brenda nëntë muajve ose ky aplikacion do të ndalohet në Amerikë.

Legjislacioni i TikTok u përfshi në një paketë të politikës së jashtme të SHBA-së, ku përfaqësuesit miratuan dërgimin e 60.8 miliardë dollarëve në ndihmë të Ukrainës, si dhe para për Izraelin dhe Tajvanin.

Paketa tani do të shkojë në Senatin amerikan, ku ka të ngjarë të miratohet të martën. Presidenti Joe Biden ka thënë se do të nënshkruajë legjislacionin e Tik Tok sapo të arrijë në tryezën e tij.

Nëse projektligji bëhet ligj, pronari i aplikacionit popullor për ndarjen e videove do të ketë nëntë muaj kohë për të gjetur një blerës ose do të përballet me një ndalim.

Kompania ka të ngjarë të përpiqet të kundërshtojë ligjin në gjykatë, duke argumentuar se do t’u privojë miliona përdoruesve të aplikacionit të drejtat e tyre të Amendamentit të Parë, të cilat mbrojnë lirinë e fjalës.

Sfida të tilla gjyqësore mund të vonojnë ndjeshëm afatin kohor të përcaktuar nga Kongresi ose të bllokojnë hyrjen në fuqi të ligjit.

Në një deklaratë, Tik Tok tha: “Është për të ardhur keq që Dhoma e Përfaqësuesve po përdor mbulesën e ndihmës së rëndësishme të huaj dhe humanitare për të bllokuar edhe një herë një projekt-ligj ndalimi që do të shkelte të drejtat e fjalës së lirë të 170 milionë amerikanëve, do të shkatërronte shtatë milionë biznese duke i shkaktuar një dëm prej 24 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, çdo vit.”

Nisma ligjore erdhi pasi autoritetet në SHBA dhe sidomos zyrtarë të inteligjencës shtuan thirrjet për të ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni nga pajisjet qeveritare, pasi sipas tyre Tik Tok-u paraqet rrezik për sigurinë kibernetike. SHBA-të janë të shqetësuara se autoritetet kineze mund të detyrojnë “ByteDance” të dorëzojë të dhënat e përdoruesve amerikanë, ose ta drejtojë kompaninë të rrisë përmbajtjen e TikTok-ut në favor të interesave të saj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit