TikTok-si jep leksion se si të bëheni copash

TikTok-si jep leksion se si të bëheni…

Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ka rikthyer shqetësimin për sfidat dhe “show”-t e rrezikshme që publikohen në TikTok, ku dëshira për klikime dhe famë virtuale duket se po vlen më shumë se jeta e njerëzve.

Në pamjet e filmuara mbrëmjen e djeshme, një i ri shfaqet duke drejtuar automjetin me këmbë, ndërsa lëviz në rrugë pa asnjë shqetësim për pasojat që mund të shkaktojë. Një manovër e tillë nuk është aspak “guxim”, por një papërgjegjshmëri e pastër që rrezikon jo vetëm jetën e drejtuesit, por edhe të çdo qytetari që ndodhet në të njëjtën rrugë.

Fenomene të tilla po kthehen në një shembull të rrezikshëm për të rinjtë, të cilët, për pak sekonda famë në rrjetet sociale, janë të gatshëm të sfidojnë çdo rregull të qarkullimit rrugor. Në vend që të shërbejnë si hapësira argëtimi, platformat sociale po përdoren për të promovuar sjellje që mund të përfundojnë në tragjedi.

Në një kohë kur aksidentet rrugore vazhdojnë të marrin jetë pothuajse çdo javë, pamje të tilla janë një kambanë alarmi. Rrugët nuk mund të trajtohen si pistë spektakli apo skenë për video virale.

Policia e Shtetit nuk duhet të kufizohet vetëm me vendosjen e gjobave ndaj autorëve të këtyre shkeljeve. Kur një drejtues automjeti kryen manovra që vënë në rrezik jetën e të tjerëve dhe i publikon ato me krenari në rrjetet sociale, nevojitet një reagim më i ashpër dhe më i shpejtë. Përndryshe, “videot për klikime” mund të përfundojnë duke u kthyer në kronika të zeza.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit