“Tipike diktatoriale”/ Shkrimtari Shllaku e thotë hapur: Nëse qeveria guxon e shemb Teatrin, shoqëria nuk do t’i kontrollojë dot “përbindëshat” që prodhon

“Tipike diktatoriale”/ Shkrimtari Shllaku e thotë hapur:…

Shkrimtari edhe poeti Primo Shllaku komentoi për Fax News çështjen e Teatrit kombëtar.

Ai shprehet se kemi një rikthim të strukturave moniste të ideologjisë sipas të cilave shteti është depozitori kryesor i vlerave morale të shoqërisë ‘dhe se, kësisoj, ai ka të drejtë me të bërë mirë me zor’.

Reagimi i plotë: Çështja e Teatrit sot është më shumë se  një çështje Teatri. Është çështje dëgjueshmërie e shoqërisë nga ana e një qeverie që paramendohet se zgjodhet nga po ajo shoqëri. Është problem politik e mandej kulturor ose kulturor për sa politika është kulturë. Në fakt kemi një rikthim të strukturave moniste të ideologjisë sipas të cilave shteti është depozitori kryesor i vlerave morale të shoqërisë dhe se, kësisoj, ai ka të drejtë me të bërë mirë me zor. Kjo është tipike diktatoriale. Shoqëria shqiptare dhe për antonomazi shoqëria tiranase që ka brenda saj më shumë se askund elemente elitare me çështjen e Teatrit verifikon jo vetëm qënien e saj por edhe ekzistencën.

Po qe se qeveria guxon ta shembë Teatrin, kjo do të thotë se kjo shoqëri pjell përbindësha që s’mund t’I kontrollojë më pas. Kur shoqëritë pjellin përbindësha atëherë diktaturat janë natyrale dhe në shtëpinë e vet. Prognoza është pesimiste. Mbas gjákosjes kombëtare të komunizmit do të duhej një katharsis i dhímbshëm. Nuk u bë. Atëherë po ballafaqohemi me një qorrsokak edhe më të dhímbshëm. Faji po zgjeron njollën e tij.

Edhe pak e shoqëria shqiptare nuk do të jetë më e pafajshme. Kush do ta ketë të drejtën të flasë për drejtësi e demokraci? Edhe pak e do të mbetemi pa pika të brendshme referimi. Po kridhemi në honin e errët të zhdùkjes edhe të identitetit njerëzor.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit