Një tjetër hapësirë e lirë mes pallateve në Tiranë duket se po përgatitet për t’u mbuluar nga betoni. Fotoja e mbërritur pranë redaksisë tregon një sipërfaqe të rrethuar pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në zonën përpara ish-Stacionit të Trenit.
Sipas denoncimit të qytetarit, në këtë truall parashikohet ndërtimi i një godine me 44 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë. Të dhënat mbi projektin nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.
Hapësira deri më sot shërbente si i vetmi korridor ajrimi dhe ndriçimi natyror për pallatet që ndodhen përballë njëri-tjetrit. Por në vend që trualli të kthehej në një kënd lojërash, lulishte apo hapësirë pushimi për fëmijët, të moshuarit dhe nënat me foshnja, banorët thonë se edhe kjo sipërfaqe po i dorëzohet ndërtimeve.
Në një qytet ku pallatet ngrihen gjithnjë e më pranë dritareve të banorëve, hapësirat e gjelbra dhe zonat e përbashkëta po bëhen gjithnjë e më të rralla.
Beton, beton dhe sërish beton. A po shndërrohet kështu Tirana në një burg urban?