Tirana digjet, Ramës i dhimbset Serbia: Të mos shkojë në drejtim të gabuar

Tirana digjet, Ramës i dhimbset Serbia: Të…

Ndërsa rrugët e Tiranës vlojnë nga protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur podiumet e Brukselit për të kryer misionin e tij të zakonshëm gjeopolitik: të bëjë avokatin mbrojtës të Beogradit.

Gjatë samitit të Euronews për zgjerimin e Bashkimit Europian, përballë gazetares Maria Tadeo, kreu i qeverisë shqiptare riktheu sërish retorikën e tij pro-serbe. Pavarësisht se Serbia refuzon me kokëfortësi njohjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pushtuese, Rama këmbënguli se rajoni ka interes direkt që Beogradi të mos largohet nga projekti europian.

Në një kohë kur diplomacia europiane kërkon llogari nga Serbia për flirtet e saj dypjesëshe me Vladimir Putinin, Edi Rama e mori sërish përsipër barrën për të justifikuar qëndrimet e Aleksandër Vuçiçit.

Pavarësisht se pranoi me gjysmë zëri se “muzika në Beograd nuk do të ndryshojë” sa i përket njohjes së Kosovës, Rama zgjodhi ta relativizojë këtë hezitim, duke kërkuar që Serbisë t’i falen dështimet dhe të mos lihet të rreshqasë në “drejtimin e gabuar”.

Dëshmia e Ramës nga Brukseli:

“Kam qenë avokat që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe të braktisë projektin evropian… Na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e fqinjësisë dhe të jetë pjesë e plotë e BE-së…”

Ky qëndrim i Ramës nga Brukseli shfaq një kontrast të thellë politik. Në vend që të përballet me revoltën qytetare që vlon në Tiranë dhe me pyetjet therëse mbi korrupsionin e qeverisë së tij, kryeministri preferon të bëjë “leksione gjeopolitike” mbi rëndësinë e Serbisë në mozaikun e Ballkanit.

Tepër vvonë dhe sa për të përmbushur fasadën diplomatike, Rama shtoi se Serbia “duhet ta meritojë anëtarësimin duke realizuar atë që është e panegociueshme me BE-në”. Por mesazhi kryesor që ai përcolli në Bruksel ishte i qartë: Edi Rama vazhdon të mbetet mbrojtësi më i zjarrtë i interesave të Beogradit në arenën ndërkombëtare, madje edhe kur Kosova mbetet e cenuar dhe Serbia mbetet e rreshtuar krah Rusisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit