Ka mjaftuar vetëm një orë reshje shiu që rrugët e disa qyteteve të vendit të gjenden nën pushtetin e ujit.
Kështu në Durrës gjatë mesditës së kësaj të hëne rrugët u mbuluan nga uji, dhe qytetarët e kishin të pamundur që të lëviznin pa u lagur. Në disa zona uji doli mbi nivelin e trotuarit, ndërkohë që kaotike ishte situata në kryqëzimin e stadiumit dhe lagjen numër 18.
Situata e krijuar pritet të përmirësohet vetëm kur reshjet e shiut të ndërpriten. Prezencë të ujit në rrugë ka pasur dhe në Tiranë e Lezhë. Kjo situatë fatkeqësisht përsëritet çdo herë që bie shi, qoftë edhe për disa minuta.
Rrjeti i dobët i kanalizimeve të ujërave është një ndër shkaktarët e përmbytjeve në këto qytete, teksa ndërtimet pa kriter luajnë një rol jo të vogël në prishjen e kanaleve nëntokësore. Shpesh qytetarët janë ankuar për këto problematika, por institucionet përkatëse asnjëherë nuk kanë marrë masa për përmirësimin e situatës.