Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës, duke u shndërruar në vendin më të shtrenjtë në Ballkan. Kjo rritje është nxitur nga forcimi i lekut ndaj monedhave kryesore ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve të konsumit.
Sipas raportit të fundit të Mercer, një agjenci e njohur amerikane për shërbime financiare, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është renditur në vendin e 103-të në Indeksin Global të Kostos së Jetesës për vitin 2024.
Raporti përfshin një analizë të detajuar të 226 qyteteve në mbarë botën, duke krahasuar koston e jetesës për më shumë se 200 artikuj në çdo vend, përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, mallrat shtëpiake dhe argëtimin.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka bërë një ngjitje të jashtëzakonshme prej 50 pozicionesh nga viti i kaluar, kur Tirana renditej në vendin e 153-të. Kjo e bën atë një nga pesë qytetet me rritjen më të madhe në botë për koston e jetesës.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit që janë pjesë e këtij indeksi, Tirana është qyteti me koston më të lartë të jetesës. Beogradi renditet i dyti në rajon pas Tiranës, duke u pozicionuar në vendin e 159-të, me një rritje prej 16 vendesh nga viti i kaluar. Shkupi ndjek në vendin e 198-të, ndërsa Bosnje-Hercegovina ka kostot më të ulëta në rajon, me Sarajevën të renditur në vendin e 203-të, pa shënuar ndryshime krahasuar me vitin e kaluar. Vlen të theksohet se Mali i Zi dhe Kosova nuk janë përfshirë në këtë indeks.
Në nivel global, Hong Kongu, Singapori dhe Zyrihu janë qytetet më të shtrenjta për punonjësit e huaj në vitin 2024, ndërsa qytetet në Pakistan dhe Nigeri rezultojnë si më të lirat.
Shqipëria, sipas raportit, renditet mes vendeve me rritjen më të lartë të kostove të jetesës.
Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, ku inflacioni i lartë është faktori kryesor, në Shqipëri rritja e kostos së jetesës është kryesisht rezultat i luhatjeve të kursit të këmbimit dhe çmimeve të larta të banesave. Këta faktorë kanë bërë që punonjësit e huaj që zgjedhin Shqipërinë të përballen me shpenzime të konsiderueshme më të larta se më parë.