Tirana merr Ngonë me “pahir” në Fier

Tirana merr Ngonë me “pahir” në Fier

Frika për një infektim nga Koronavirusi, dyshimet për zhvillimin e ndeshjes dhe Majkëll Ngoja ishin çështjet e ditës te Tirana. Edhe pse skuadra dukej relativisht e qetë, gjithçka u trazua në fund të stërvitjes. Ishte Majkëll Ngoja, i cili ka zhvilluar një takim të gjatë me Arbi Laçin dhe juristin e klubit Tirana.

Diskutimi ka qenë i zjarrtë, madje zyrtarët e klubit janë munduar të qartësojnë pozicionin e Ngosë, i cili me sa duket vazhdon historinë e kontratës. Me sa është kuptuar, Ngoja kërkonte garanci për të udhëtuar drejt Fierit ku do të grumbullohet skuadra para ndeshjes me Bylisin.

Nga ana tjetër, zyrtarët i qartësuan lojtarit se rruga e vetme është udhëtimi me skuadrën për të zhvilluar takimin me Bylisin. Lojtari pasi ka folur me zyrtarët është futur në dhomat e zhveshjeve. Anglezi më pas ka dalë dhe është drejtuar tek autobusi dhe është bashkuar me ekipin.

Gjendja – Te bardheblutë situata ka qenë e qetë, ndonëse frika në ndonjë rast edhe shfaqej. Lojtarë të ndryshëm kanë pasur hall më shumë për familjarët sesa për veten e tyre. Zyrtarët kanë komunikuar me federatën dhe kjo e fundit ka dhënë urdhër që skuadra të marrë rrugën drejt Fierit. Nga ana tjetër, te bardheblutë janë të bindur se titulli duhej fituar në fushë, por Shqipëria është i vetmi kampionat që nis pa bërë asnjë test për të gjithë lojtarët e Kategorisë Superiore. Skuadra nga ana e saj ka udhëtuar e plotë drejt Fierit. Bardheblutë do të qëndrojnë në këtë qytet të grumbulluar për të pritur nëse do të luhet apo jo sfida me Bylisin, e shtyrë njëherë 12 marsin e kaluar.

Formacioni – Planet ndryshojnë sërish te bardheblutë. Me riaftësimin e Kalesë dhe Torasës, skuadra me shumë mundësi do të luajë me formacionin tip. Lika do të jetë në portë, më pas në mbrojtje Doka, Muça, Vangjeli e Hoxhallari. Në mesfushë Çelhaka, Batha Torasa, Kale e Kobina. Në sulm i vetëm, Majkëll Ngoja. Skuadra nuk ka asnjë të dëmtuar, por Egbo la jashtë vetëm lojtarët e rinj, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e grumbulluar. Tirana do të luajë katër nga pesë takimet e para jashtë fushës së vet. Kështu, veç Bylisit, Tirana udhëton në Gjirokastër, Durrës, pret Shkodrën dhe shkon në Korçë. Nëse ia del, atëherë konsiderohet kampione e Shqipërisë në mënyrë matematikore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit