Një aksident i frikshëm është regjistruar pak ditë më parë në rrugën “Todi Shkurti” në Tiranë, ku një motor ka përplasur një grua që sapo kishte zbritur nga automjeti i saj.
Pamjet e aksidentit janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili kërkon të sensibilizojë drejtuesit e mjeteve për rrezikun që paraqet lëvizja me shpejtësi të lartë në zonat e banuara.
Në videon e mbërritur në redaksi shihet momenti kur gruaja zbret nga makina dhe, pak çaste më vonë, përplaset nga një motor që po lëviz me shpejtësi. Nga goditja, ajo rrëzohet në tokë dhe mbetet pa ndjenja.
Sipas qytetarit, në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe ambulanca, por deri më tani nuk ka informacion për gjendjen shëndetësore të gruas.
Denoncuesi ngre shqetësimin edhe për sigurinë në këtë segment rrugor, i cili nis nga ish-Tregu Elektrik dhe vijon deri pranë kompleksit “Grand”, në kryqëzimin me rrugën “Mihal Grameno”. Sipas tij, përgjatë rrugës ka pallate dhe biznese në të dyja anët, ndërsa mungesa e pengesave fizike favorizon lëvizjen me shpejtësi të lartë të automjeteve dhe motorëve.
Banori thotë se raste të ngjashme aksidentesh kanë ndodhur edhe më parë dhe shpreh frikën për sigurinë e fëmijëve dhe të gjithë banorëve të zonës.
Ky rast rikthen vëmendjen te rreziku që paraqet shpejtësia e lartë në rrugët urbane, ku një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën e këmbësorëve. Ndërkohë, banorët kërkojnë marrjen e masave konkrete për të garantuar sigurinë në këtë aks rrugor.
<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/v3YcTpQywqU” title=”Tiranë: Momenti kur motori me shpejtësi 'skëterrë' përplas gruan që sapo zbret nga makina” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>