
Parkimi në Tiranë është kthyer në një luks të vërtetë. Mungesa e hapësirave publike dhe shtimi i pandalshëm i mjeteve ka nxitur një treg të artë për shitjen e vendeve të parkimit, me çmime që variojnë nga 8,000 deri në 80,000 euro, në varësi të zonës.
Në zonat më të kërkuara të kryeqytetit, si ish-Blloku, Komuna e Parisit, Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe rruga e Kosovarëve, një vend parkimi mund të kushtojë nga 25,000 deri në 50,000–80,000 euro, sidomos në godina luksoze ose me akses të kufizuar.
Në zonat periferike, si Kinostudio apo Rruga e Bardhylit, çmimet lëkunden nga 15,000 deri në 25,000 euro.
Në zonën e Astirit, çmimet qëndrojnë më të ulëta, nga 13,000 deri në 18,000 euro.
Në projektin “Ekspozita Building”, një post parkimi kushton deri në 60,000 euro, me një sipërfaqe prej 43 m². E njëjta shifër raportohet edhe në kompleksin “West Residence”, pranë Presidencës.
Ndërtuesit po ofrojnë gjithnjë e më pak garazhe të mbyllura dhe më shumë poste të thjeshta nëntokësore, për shkak të normave të sigurisë kundër zjarrit që ndalojnë mbylljen e tyre.
Edhe në zona më pak të zhvilluara si Kashari, Paskuqani apo Liqeni i Thatë, çmimet janë në rritje. Në Kashar, parkimet kushtojnë deri në 15,000 euro, ndërsa në Liqenin e Thatë pritet të ofrohen për 25,000 euro.
Në projekte të reja si “SanPaolo Bulevard”, çmimet për parkim janë rritur me 35% nga faza e parë e ndërtimit deri në fazën aktuale.
Sipas ndërtuesve, çmimet janë rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë. Blerja e një vendi parkimi nuk është më luks, por domosdoshmëri për banorët e Tiranës, ku gjobat për parkim të gabuar janë më të shtrenjta se tarifa mujore për një vend të dedikuar.
Tirana numëron rreth 330 mijë makina për një popullsi prej 600 mijë banorësh, ose një makinë për çdo dy persona – një nivel që e afrohet me mesataren e BE-së.
Vetëm në vitin 2024 u regjistruan për herë të parë 41 mijë automjete të reja në kryeqytet, ndërsa në gjithë vendin numri total i mjeteve të regjistruara i kaloi 914 mijë.
Megjithëse Tirana është përjashtim, Shqipëria në tërësi vijon të ketë ndër nivelet më të ulëta të motorizimit në Europë, me rreth 300 automjete për 1,000 banorë, përkundrejt 570 automjeteve që është mesatarja e Bashkimit Europian.