Këto ditë duhet t’i shkoni për ngushëllim biznesmenit Dionis Teneqja pasi tjetër mort ka goditur qendrën e tij tregtare MegaMORT…
Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Manjola Xhaxho, ka vendosur këtë të mërkurë të përjashtojë nga shqyrtimi i çështjes kryetarin e gjykatës, Flamur Kapllani, i cili më herët kishte vendosur se disa media online duhet t’i paguanin biznesmenit Dionis Teqja 680,000€ dëmshpërblim për disa artikuj të shkruar për të.
Vendimi i gjyqtares Manjola Xhaxho shihet si një hap drejt garantimit të një procesi të rregullt ligjor dhe respektimit të standardeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi më herët gjyqtari Flamur Kapllani kishte vendosur, pa kryer verifikime mbi përmbajtjen, që një artikull për biznesmenin Dionis Teqja të konsiderohej “i rremë”, duke pranuar njëkohësisht masën e sigurimit të padisë.
Përjashtimi i Flamur Kapllanit nga shqyrtimi i mëtejshëm i çështjes, e ka rikthyer procesin në rrjedhën normale të zbatimit të ligjit.
Si nisi çështja?
Në prill 2026, biznesmeni Dionis Teqja depozitoi një kërkesëpadi ndaj disa mediave, duke pretenduar se në portale të ndryshme ishin publikuar materiale shpifëse që dëmtonin figurën e tij.
Në padi kërkohej një dëmshpërblim prej 500.000 euro ndaj një gazetarit si dhe nga 20.000 euro për secilën prej mediave të tjera të paditura, duke e çuar vlerën totale të kërkesës në 680.000 euro.
Përveç dëmshpërblimit financiar, Dionis Teqja kërkoi edhe vendosjen e masës së sigurimit të padisë, përmes bllokimit të aksesit publik ndaj artikujve. Vetëm katër ditë pas depozitimit të padisë, Gjykata, në dhomë këshillimi dhe pa praninë e palëve, pranoi kërkesën për masën e sigurimit.