
Blerjet online jo në pak raste rezultojnë një dështim i suksesshëm, pasi produktet që porositen në internet herë pas here vijnë jo ashtu sikur porositen por me një cilësi shumë më të keqe.
Të shumta janë dhe rastet kur dyqanet online, nuk pranojnë kthime, pavarësisht se cilësia e produkteve është jo ajo që reklamohet dhe kthimet janë diçka që ua kërkon ligji. Për të denoncuar një rast të ngjashëm, një vajzë i është drejtuar redaksisë sonë.
Ajo vendosi të blerë një veshje te faqja “Zayainalbania”, e cila së bashku me transportin kushtonte 7 200 lekë. Pasi porositi masën “M” klientja ka kërkuar ndërrim të pantallonave të cilat kishin ardhur më të vogla se sa duheshin, por përgjigjja që ka marrë ishte “Nuk bëjmë ndërrime”.
Menjëherë vajza i ka shkruar stafit të “Zayainalbania” se në asnjë moment nuk i është thënë që nuk pranohen ndërrimet. Sipas saj, modeli që ishte reklamuar në instagram ishte marrë nga një faqe e huaj e quajtur “centrepiece_official”, por cilësia ishte shumë më poshtë nga sa reklamohej.
JOQ Albania kërkoi një shpjegim për ngjarjen nga vetë faqja që i tregëton këto produkte, por ajo që na u tha, është se nuk mund të bëjnë ndërrime ose rimburisme, pasi produktet e porositura janë të personalizuara dhe nuk mbahen stok.
E zhgënjyer nga kjo ngjarje, qytetarja kërkon që këto faqe të mbajnë përgjegjësi për produktet që tregtojnë, teksa kërkon që rasti të bëhet publik, në mënyrë që klientë të tjerë të mos bien pre e mashtrimeve si në rastin e “Zayainalbania”, e cila me sa duket nuk ka as dyqan fizik.
Mesazhi i plotë:
Përshëndetje JOQ, po ju shkruaj për të ndarë një “eksperiencë blerjeje” me faqen @zayainalbania, që besoj duhet të shihet nga kushdo që mendon të porosisë prej tyre.
Porosita një set që në foto dukej si model oversize, me prerje të lirshme dhe stil të sofistikuar. Në realitet, më erdhi një palë pantallona që ishin shumë të ngushta, shumë të shkurtra dhe aspak të ngjashme me atë që ishte reklamuar.
Jam 1.73 cm dhe 62 kg – masa M nuk më përshtatej aspak. Kur kërkova ndërrim, më thanë që produkti ishte me porosi (pre-order) dhe nuk ofrojnë ndërrime. E vetmja “sqarim” që mora.
Asnjë paralajmërim më parë, asnjë tabelë me përmasa, asnjë transparencë. Përgjigja e fundit? Heshtje.
Ironia është që modeli që përdorin për të reklamuar setin është marrë nga një faqe tjetër ndërkombëtare (@centrepiece_official), por si duket realizimi real është në një tjetër nivel shumë më poshtë.
7200 lekë për një produkt që nuk mund ta vesh dhe një shërbim klienti që të bën të ndihesh sikur je thjesht një numër në inbox. E kuptoj që “me porosi” nuk do të thotë “pa përgjegjësi”.
Do doja shumë që ta postonit, jo për viktimizim, por që të paktën dikush tjetër të mos bjerë pre e të njëjtit zhgënjim.
Reagimi i “zayainalbania”:
“Përshëndetje, Faleminderit që na kontaktuat. Dëshirojmë t’ju sqarojmë se produktet tona realizohen në atelie, dhe çdo porosi përgatitet enkas për secilin klient, në bazë të përmasave të zgjedhura apo të komunikuara. Për këtë arsye, nuk ofrojmë mundësi për rimbursim apo ndërrim, pasi artikujt janë të personalizuar dhe nuk mbahen në stok.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, edhe në rastet kur klienti jep një madhësi standarde (si p.sh. M), për shkak të larmishmërisë së trupit të femrave, mund të ketë ndryshime në përmasa të veçanta si beli, gjoksi apo kofshët. Këto dallime mund të ndikojnë në mënyrën si qëndron veshja, pavarësisht madhësisë së zgjedhur.
Shpresojmë të na kuptoni për mënyrën sesi funksionon puna jonë. Ju faleminderit për mirëkuptimin!”