Termi “Tokë e Xanun” po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në Tiranë, për shkak të rasteve të shumta të zaptimit të hapësirave publike. Një denoncim i fundit dërguar në redaksinë e JOQ Albania, tregon situatën absurde në rrugën Jordan Misja, ku një pjesë e rrugës është bllokuar me kone të mbushura me beton dhe me hekur të ngulur fort në tokë.
Sipas denoncuesit, këto pengesa ndodhen aty prej gati një viti, duke bllokuar vende parkimi dhe duke rrezikuar seriozisht qarkullimin. “Policia Bashkiake kalon çdo ditë dhe nuk merr asnjë masë. Janë dëmtuar mbi 20 makina, sepse rruga është ngushtuar shumë dhe shoferët nuk kanë mundësi të manovrojnë”, shkruan qytetari.
Sipas tij, konat janë vendosur nga subjekte që ndërtojnë pallate në zonë, pa asnjë autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ndërsa institucionet kompetente, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe Policinë Bashkiake, kanë zgjedhur të mos ndërhyjnë.
Banorët kërkojnë që institucionet të reagojnë dhe kjo hapësirë publike e zaptuar me kona të lirohet sa më parë të jetë e mundur.
Denoncimi i plotë:
“Pershendetje! Te Ruga Jordan Misja ose me thjesht te skrap 2007 i beme makinat cop nuk shkembehemi dot dhe keto i kane bere me hekura ne mes dhe i kane mbushur me beton. Policet e Bashkise kalojne cdo dite ketu dhe nuk marin masa. Te lutem publikoje se u be afro nje vit i njejti avaz me keto kona. Hapsire publike eshte. Mbi 20 makina jane bere cop ne kete vend. Keta kane vene betonin ne ruge.”