Tmerri i burgjeve greke ngre në këmbë gjithë shtetin: Do ta arrestojmë Rizain patjetër

Tmerri i burgjeve greke ngre në këmbë…

Ministri grek i Mbrojtjes, Mihalis Chrisochoidis, ka deklaruar se autoritetet greke do ta gjejnë dhe arrestojnë Alket Rizain, i cili është shpallur në kërkim pasi nuk u kthye në burg pas përfundimit të lejes së tij.

Në një intervistë për televizionin grek SKAI, ministri u pyet edhe për vendimin që i mundësoi Rizait të përfitonte një leje shtatëditore. Chrisochoidis tha se ai vetë do të kishte kundërshtuar dhënien e lejes, por theksoi se vendimi merret në bazë të procedurave dhe kuadrit ligjor.

“Rizai kishte marrë 16 leje. Personalisht, nëse më pyesni, do të kundërshtoja që personi në fjalë të merrte leje, por kjo nuk është çështje e imja. Është çështje e ligjit”, deklaroi ministri.

Rizai po vuante dënimin në burgun e Domokosit. Sipas transmetuesit publik grek ERT, ai kishte përfituar një leje shtatëditore dhe duhej të kthehej në burg mëngjesin e 14 shtatorit 2026. Ai nuk u paraqit dhe prej atëherë autoritetet greke kanë nisur kërkimet për lokalizimin e tij.

Sipas ERT, Rizai kishte përfituar leje të përsëritura që prej janarit 2021, me vendim të këshillit kompetent, dhe në rastet e mëparshme ishte kthyer rregullisht në burg.

Ndërkohë, policia greke po heton edhe nëse Rizai mund të ketë lidhje me një incident me të shtëna pranë një lokali në Anavyssos, në Atikë, gjatë periudhës kur ndodhej me leje. Pamjet filmike nga zona janë marrë në shqyrtim, ndërsa ERT thekson se lidhja e tij me ngjarjen mbetet pjesë e hetimit.

Chrisochoidis shprehu bindjen se policia do ta lokalizojë të dënuarin.

“Rizai do të arrestohet, ashtu siç arrestohen të gjithë”, tha ministri grek.

Dy arratisje spektakolare me helikopter

Emri i Alket Rizait është i lidhur prej vitesh me arratisje spektakolare nga burgjet greke. Ai është arratisur dy herë me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalosit, së bashku me të dënuarin grek Vasilis Paleokostas.

Arratisja e parë ndodhi më 4 qershor 2006, kur një helikopter mbërriti mbi burg dhe mori Rizain dhe Paleokostasin. Pas arratisjes, Rizai u arrestua sërish në shtator të po atij viti.

Më 22 shkurt 2009, dy të dënuarit përsëritën të njëjtin skenar dhe u larguan sërish me helikopter nga Koridhalosi. Rizai qëndroi në arrati për disa muaj, përpara se të arrestohej në nëntor 2009 në Ano Souli, në zonën e Marathonës.

Në vitin 2013, ai u përfshi edhe në një tjetër tentativë për t’u larguar nga burgu i Malandrinos. Sipas raportimeve të mediave greke, gjatë incidentit ai mori peng punonjës të burgut, por tentativa dështoi dhe Rizai u dorëzua.

Këtë herë, situata është ndryshe: Rizai nuk është arratisur nga ambientet e burgut, por nuk është kthyer pasi i përfundoi leja e dhënë nga autoritetet. Aktualisht ai konsiderohet në kërkim nga policia greke, e cila vijon hetimet për gjetjen e tij.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit