Tokat e fermerëve/ Raporton Rama: Mediat gënjejnë. Raportojnë mediat: Rama gënjen

Tokat e fermerëve/ Raporton Rama: Mediat gënjejnë.…

Investimet në bujqësi kanë qenë në fokus të kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm. Teksa ka publikuar një video në disa prej qyteteve të Shqipërisë, Rama thekson se janë rritur investimet, prodhimi dhe eksportet e produkteve bujqësore, teksa nuk ka lënë edhe pa një përgjigje kritikuesit. “Mirëmëngjes dhe ndërkohë që në tokat e Shqipërisë rriten investimet, prodhimi, eksportet, falë shumicës që flet me punë, ndërsa në ekrane, portale e platforma, vazhdojnë llafet si e vetmja punë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Por, a është ky realiteti? Ankesat e fermerëve për mungesë tregu, prej vitesh janë bërë bumerang dhe me gjasë e kanë humbur interesin. Pamjet me qepë, patate dhe mollë që hidhen kanaleve në Korçë, Dibër, Lushnjë etj. duket se janë bërë të rëndomta e shpërfillëse, por vuajtjen deri në palcë e mbajnë ata që e kanë shpinën e kërrusur.

Kryeministri, i cili rëndom e nis mëngjesin me videot e zyrës së propagandës, me siguri e di që ky është muaji kur fermerët duhet të aplikojnë për skemat mbështetëse në AZHBR, por po me kaq siguri e di se mbështetja për ta është mision i pamundur. Së pari, qeveria thotë se ka lehtësuar aq shumë procedurat dhe burokracitë, sa fermerët mund të aplikojnë online në E-albania, por statistikat për përdorimin e internetit nga fermërët nuk janë inkurajuese. Së dyti, tashmë është bërë e udhës që fondet për politikat e subvencionimit në bujqësi, qoftë kombëtare qoftë ato që vijnë nga BE me skemat IPARD të mos shkojnë kurrë në destinacion. “Nëse dhe ky vit nuk do të jetë më mirë sesa vitet e shkuar, do të jetë një dështim i plotë dhe ne duhet të shohim se çfarë duhet të ndryshojmë realisht në skemat kombëtare në mënyrë që këto fonde të planifikuara për fermerët të shkojnë tek ata“, citonte një vit më parë kreu i KASH, Agim Rapaj.

Pemëtore në Korçë. Fermeri ka treguar se ka hedhur 9/10 e prodhimit

Por, realiteti bardhë e zi me fermëret ka prodhuar edhe paradokse nga e njëjta studio montimi. Të tilla kanë qenë dy kronika të RTSH-së në Korçë në një distancë kohore prej 10 ditësh në fund të janarit dhe fillim të shkurtit, ku e para dilte me titullin  FERMERËT E KORÇËS ME PEMËTORE MODEL,  dhe e dyta me titullin FERMERËT SHARROJNË PEMËTORET ME MOLLË. Shtrohet pyetja, cilën kronikë do të donte të shpërndante kryeministri në faqen e vet dhe cilën do të ndanin portalet? Për të mos pasur konflikte të llojit Media Kazan apo Kazan Qeveri, le të biem dakord t’i shfaqim të dyja. Për transparencë, të dyja palët!

Kronikë e datës 11 shkurt 2020

Kronikë e datës 31 janar 2020

/Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit