Trafik kilometrik drejt Elbasanit: Radhët e makinave shkojnë deri te tuneli i Krrabës

Trafik kilometrik drejt Elbasanit: Radhët e makinave…

Fluksi i lartë i automjeteve që i janë drejtuar qyteteve dhe zonave turistike të juglindjes së vendit ka rikthyer gjatë orëve të pasdites së të premtes radhët e gjata dhe trafikun e rënduar në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit–Elbasan, i cili mbetet një nga segmentet më të ngarkuara rrugore gjatë sezonit veror.

Sipas pamjeve të siguruara nga terreni, vargu i makinave shtrihet me kilometra dhe radha e mjeteve ka arritur deri te hyrja e tunelit.

Shumë qytetarë nga kryeqyteti kanë zgjedhur fundjavën për t’u nisur drejt destinacioneve turistike të juglindjes, duke bërë që qarkullimi të rëndohet që në orët e para të pasdites. Së bashku me lëvizjet e fundjavës, në rëndimin e situatës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe kthimi i masiv i emigrantëve në vendlindje për pushimet e verës.

Përveç kësaj, një tjetër faktor kyç që ka mbingarkuar këtë segment janë punimet që po kryhen në aksin Tiranë–Durrës. Kjo ka bërë që edhe një pjesë e mirë e lëvizjeve drejt bregdetit të devijohen nga Elbasani, duke e rënduar akoma më shumë qarkullimin në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Drejtuesit e mjeteve po përballen me vonesa të mëdha dhe lëvizje tejet të ngadaltë, ndërsa udhëtarëve u kërkohet durim dhe kujdes i shtuar gjatë kalimit në këtë aks.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit