Trafikanti shqiptar kundërshton ekstradimin: "Djemtë e mi kanë të ardhme në Premier League"

Trafikanti shqiptar kundërshton ekstradimin: “Djemtë e mi…

Një shtetas shqiptar, i dënuar më parë në Itali për trafik droge dhe prostitucion, ka apeluar kundër ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar, duke argumentuar se ky veprim do të dëmtonte shanset e djemve të tij për të ndjekur një karrierë si futbollista profesionistë.

Elis Lila, 40 vjeç, mbërriti në Britani në vitin 2016 përmes një kamioni, pasi ishte dënuar nga autoritetet italiane në vitin 2012 me 11 vite burg, dënim që nuk e ka vuajtur asnjëherë. Ai është aktualisht i vetëpunësuar si punëtor ndërtimi dhe jeton në Angli me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij. Dy nga djemtë e tij janë të regjistruar në akademinë e Watford FC, ndërsa djali më i madh raportohet se është në prag të përfitimit të një burse nga një klub i Premier League.

Avokatët e Lilës kanë argumentuar se ekstradimi do të shkelte Nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbron të drejtën për jetë familjare. Ata kanë theksuar se familja e tij është e integruar në Britani dhe se mungesa e tij do të rrezikonte mirëqenien emocionale dhe zhvillimin profesional të fëmijëve të tij.

Megjithatë, kërkesa për të bllokuar ekstradimin është rrëzuar. Gjykatësi theksoi se Lila ishte i vetëdijshëm për rrezikun e ekstradimit kur vendosi të ndërtonte jetën e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shtoi se ndonëse ndikimi emocional ndaj familjes është i kuptueshëm, nuk është i pazakontë në raste ekstradimi dhe nuk mjafton për të anuluar vendimin.

Rasti i Lilës vjen në një kohë kur autoritetet britanike janë vënë nën kritika për lehtësinë me të cilën disa të dënuar të huaj shmangin ekstradimin, ndërkohë që raste të tjera, si ai i Olsi Behelulit – një tjetër shqiptar i përfshirë në trafik droge kanë ngritur debate për zbatimin selektiv të drejtësisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit