Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka sekuestruar dy apartamente dhe një garazh në kuadër të një hetimi pasuror ndaj shtetasit me iniciale A.A., i dënuar me 10 vite burgim për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Masa është marrë në kuadër të procedimit pasuror nr. 02 të vitit 2026, pasi nga hetimet ka rezultuar se pasuritë e tij nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të deklaruara.
Sipas Prokurorisë, hetimi financiar dhe akti i ekspertimit kontabël kanë nxjerrë në pah se të ardhurat e faktuara të A.A. dhe familjarëve të tij nuk janë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet personale dhe investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Organi i akuzës thekson se shtetasi ka qenë në pamundësi financiare për të realizuar blerjen e pronave, ndërsa është konstatuar një disproporcion i dukshëm mes pasurive të identifikuara dhe të ardhurave të ligjshme të deklaruara.
Nga dokumentacioni i administruar dhe konkluzionet e ekspertimit rezulton se pasuritë plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenet 11 dhe 24 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal. Sipas Prokurorisë, A.A. ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, ndërsa pasuritë e krijuara rezultojnë shpërpjestimore në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga aktivitetet e ligjshme të deklaruara dhe nuk përligjen prej tyre.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m², së bashku me një verandë 44 m², të ndodhur në një kompleks multifunksional në rrugën “Xhanfize Keko”. Gjithashtu është sekuestruar një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m², si dhe një garazh prej 16 m² në katin -2 të një kompleksi multifunksional që po ndërtohet në rrugën “Kahreman Ylli” në Tiranë. Prokuroria bën me dije se hetimet pasurore vijojnë në zbatim të legjislacionit për goditjen e pasurive që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale.