“Trafiku ‘paralizon’ Tiranën, qytetari: Të ndalohet qarkullimi i kamionëve dhe betonierave në oraret e pikut

“Trafiku ‘paralizon’ Tiranën, qytetari: Të ndalohet qarkullimi…

Trafiku në Tiranë vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur fluksi i automjeteve në akset kryesore të kryeqytetit bëhet edhe më i rënduar.

Në një mesazh drejtuar redaksisë, një qytetar propozon që Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë mundësinë e kufizimit të qarkullimit të mjeteve të rënda, si kamionët, betonierat dhe automjetet që transportojnë inerte, gjatë fashave orare me fluksin më të madh të trafikut.

Sipas propozimit të qytetarit, këto mjete nuk duhet të lejohen të qarkullojnë në akset kryesore të kryeqytetit në këto orare:

  • 07:00–09:00, gjatë mëngjesit.
  • 15:00–17:00, gjatë pasdites.

Qytetari sugjeron që transporti i materialeve të ndërtimit, inerteve dhe mallrave të organizohet jashtë këtyre fashave orare, në mënyrë që të mos rëndojë më tej qarkullimin në momentet kur Tirana përballet me fluksin më të madh të automjeteve.

Ai propozon gjithashtu që të parashikohen përjashtime për shërbimet emergjente dhe rastet e veçanta, ndërsa zbatimi i këtij rregulli të garantohet përmes kontrolleve dhe masave ndëshkuese për shkelësit.

“Qëllimi nuk është të pengohet puna e askujt, por të krijohet një ekuilibër mes aktivitetit ekonomik dhe të drejtës së qytetarëve për të lëvizur normalisht në qytetin e tyre”, shprehet qytetari.

Në fund të mesazhit, ai thekson se kryeqyteti ka nevojë për masa konkrete dhe organizim më të mirë të trafikut, duke kërkuar që propozimi të merret në konsideratë nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit