Trafikuan 7.5 tonë kokainë drejt Evropës, goditet rrjeti shqiptaro-polak i drogës në Ekuador

Trafikuan 7.5 tonë kokainë drejt Evropës, goditet…

Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Policia Kombëtare e Ekuadorit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Europol-in, ka çuar në shkatërrimin e një organizate të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila sipas autoriteteve kishte lidhje me grupe kriminale shqiptare dhe polake.

Gjatë operacionit, të koduar “Gran Fénix 0043 – Azkaban”, u arrestuan 18 persona, mes tyre një shtetas shqiptar dhe një shtetas polak, të cilët dyshohet se drejtonin aktivitetin e rrjetit kriminal nga territori i Ekuadorit.

Sipas autoriteteve, organizata kishte ngritur një skemë të mirëorganizuar për trafikimin e kokainës drejt Evropës dhe dyshohet se, që prej vitit 2019, ka transportuar rreth 7.5 tonë lëndë narkotike. Vlera e kësaj sasie në tregun e paligjshëm ndërkombëtar llogaritet në rreth 225 milionë dollarë.

Njëri nga të arrestuarit është shtetasi polak Jakimec Tomasz, ndaj të cilit ishte lëshuar më herët një njoftim i kuq nga Interpoli për akuza që lidhen me trafikun e drogës. Hetuesit dyshojnë se ai kishte krijuar kompani fasadë, të cilat përdoreshin për të kamufluar dërgesat e kokainës në kontejnerë që niseshin me rrugë detare drejt vendeve evropiane.

Në pranga përfundoi edhe shtetasi shqiptar Daci, i cili, sipas Policisë, kishte rolin e ndërmjetësit mes organizatave kriminale evropiane dhe grupeve që vepronin në Amerikën e Jugut. Ai dyshohet se koordinonte trafikun dhe siguronte lidhjet mes furnizuesve të kokainës dhe rrjeteve të shpërndarjes në Evropë.

Sipas hetimeve, droga sigurohej në zonat pranë kufirit verior të Ekuadorit dhe më pas transportohej drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro. Në këto zona përgatiteshin ngarkesat, të cilat fshiheshin në kontejnerë me produkte të ligjshme eksporti, si banane, kafe, produkte deti dhe lëndë drusore.

Destinacionet kryesore të dërgesave ishin Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia, Danimarka dhe Polonia.

Autoritetet bëjnë të ditur se anëtarët e organizatës përdornin komunikime të enkriptuara për të shmangur përgjimet dhe zbulimin e aktivitetit të tyre kriminal.

Përveç dy shtetasve evropianë, gjatë operacionit u arrestuan edhe 16 shtetas ekuadorianë, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në transportin, magazinimin dhe sigurimin e ngarkesave me drogë.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen analizave hetimore. Të gjithë të arrestuarit janë paraqitur para autoriteteve gjyqësore dhe pritet të përballen me akuzat për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Hetimet mbeten të hapura, ndërsa autoritetet po verifikojnë lidhjet e mundshme të këtij rrjeti me organizata të tjera kriminale që veprojnë në Amerikën Latine dhe Evropë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit