
Tragetet që kalojnë afër bregut në Borsh derdhin mbetje në det, duke ndotur rëndë ujin dhe dëmtuar përvojën e pushuesve.
Në vijën bregdetare të Borshit, në bashkinë Himarë, çdo dy ditë përsëritet një skenë shqetësuese që po alarmon banorët dhe turistët. Një traget i cili lëviz në afërsi të bregut duket se derdh mbetje dhe ndotje të tjera në ujërat përreth, duke e kthyer detin në një pamje të papranueshme.
Pushuesit që kanë zgjedhur këtë zonë për qetësinë dhe bukurinë natyrore po shprehin zhgënjim për mungesën e reagimit nga institucionet përgjegjëse.
“Përshëndetje, shiko çfarë ndodh në Borsh. Çdo 2 ditë kalon trageti i cili derdh mbetjet dhe mbeturinat, dhe gjendja e detit bëhet në këtë mënyrë… Është e tmerrshme që nuk merr masa askush. Na e neveritin plazhin.”
Pamjet e mbërritura pranë redaksisë së JOQ tregojnë qartë ndotjen që mbetet në sipërfaqen e ujit pas kalimit të tragetit. Njollat e mëdha me papastërti dhe mbetje të ngjashme me plehra janë bërë të zakonshme, ndërsa mungesa e kontrolleve shtetërore po thellon shqetësimin.
Banorët lokalë gjithashtu kanë ngritur alarmin, duke kërkuar masa urgjente për të ndaluar këtë ndotje të përsëritur. Ata paralajmërojnë se kjo situatë jo vetëm që dëmton turizmin, por edhe shëndetin publik dhe gjallërinë e jetës detare.
Situata në Borsh pasqyron një problem më të gjerë me ndotjen detare përgjatë vijës bregdetare shqiptare, ku mungesa e monitorimit efektiv dhe ndëshkimit po i hap rrugë abuzimeve të tilla.
Në mungesë të veprimit nga autoritetet, komuniteti lokal dhe vizitorët po kërkojnë me ngulm vëmendje publike dhe ndërhyrje për të mbrojtur këtë pasuri natyrore që është një ndër asetet kryesore të turizmit në vend.