Tragjedi në Himarë, nëna e familjes gjendet pa jetë 1 milje larg bregut

Tragjedi në Himarë, nëna e familjes gjendet…

Duhet të mbyllej si një ditë normale pune dhe mundimi për bukën e gojës, por është kthyer në tragjedi sakrifica e një familjeje peshkatarësh në Himarë.

Pas mbytjes së varkës dhe shpëtimit të tre personave, individi i katërt në bordin e varkës, që ishte edhe nëna e familjes, është gjendur pa jetë në ujërat e detit, rreth 1 milje larg bregut.

Trupi i pajetë i gruas që u mbyt në det gjatë ditës së sotme si shkak i një furtune të madhe që përfshiu bregun, u gjet pas disa orë kërkimesh nga policia kufitare.

Një milje përballë Dhërmiut, Policia Kufitare në bashkëpunim me Rojën Bregdetare, bënë të mundur gjetjen e shtetases M.R.

Gruaja e identifikuar si Mirela Rama, u zhduk në det pasi kishte dalë për peshkim bashkë me familjarët e saj dhe një të afërm të tyre.

Si pasojë e motit të keq, mjeti lundrues me të cilin ata udhëtonin është përmbytur, ndërsa janë shpëtuar bashkëshorti Robert Rama, bashkë me djalin e tyre Avdyl Rama dhe personin tjetër që ndodhej në varkë me ta, Fatjon Resulaj.

Robert Rama dhe Fatjon Resulaj janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa djali është dërguar në spital në gjendje më të rëndë.

/Gazetaatdhu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit