Një aksident tragjik në punë i ka marrë jetën një të riu ditën e sotme në Kolonjë. Një 36-vjeçar ka ndërruar jetë në mënyrë të rëndë teksa po ngarkonte trupa druri në një subjekt privat.
Viktima, një 36-vjeçar banues në Pogradec, ishte i punësuar në një firmë private të licencuar për përpunimin dhe prodhimin e drurit.
Sipas informacioneve paraprake, ai kishte shkuar gjatë ditës së sotme për të ngarkuar trupa druri në zonën e fshatit Kurtesh të Kolonjës. Gjatë procesit të punës, një nga trupat e drurit masiv është shkëputur papritur duke e zënë poshtë të riun.
Goditja ka qenë e fortë dhe fatkeqësisht 36-vjeçari ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, pa pasur mundësi që t’i jepet ndihma e parë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti të rëndë, si dhe për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet e sigurimit teknik në punë nga subjekti privat ku i riu ishte i punësuar.