Tragjedia e Gramshit: "S’ka mbetur asgjë, asnjë shtëpi, komplet fshati ka mbaruar"

Tragjedia e Gramshit: “S’ka mbetur asgjë, asnjë…

Situata nga zjarret në Gramsh vijon të jetë dramatike, me rreth 7-8 fshatra të evakuuar dhe të shkrumbuar nga flakët. Deri tani është konfirmuar një viktimë dhe tetë të plagosur, ndërsa ka persona që ende rezultojnë të zhdukur.

Një banore e fshatit Skënderbegas ka rrëfyer për mediat momentet e tmerrit kur zjarri përfshiu zonën. Ajo tregon se gjithçka ndodhi me shpejtësi, duke shkatërruar çdo gjë në rrugën e tij.

“Era e solli zjarrin aty. U dogjën shtëpitë e para. Kur u afruan afër shtëpive tona, i thashë burrit që të largoheshim. Dolëm mes flakëve dhe tymit. Shtëpitë kanë mbaruar, bagëtitë, lopët, viçat, gomarët. Të tërë ikën. Vetëm një të moshuar nuk e kemi parë, a doli a s’doli,” tha ajo me zë të dridhur.

Banorja shton se fshati është zhdukur plotësisht nga harta. “Atje te ne s’ka mbetur asgjë. Në fshatin tonë s’ka mbetur asnjë shtëpi. Komplet fshati ka mbaruar. U dogj një komunë e tërë. Nuk di çfarë të them…”

Dëshmia e saj është një pasqyrë e dhimbshme e tragjedisë që po përjeton Gramshi, ku dhjetëra familje kanë mbetur pa strehë dhe e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit