Rreth 20 persona janë marrë në pyetje nga Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut lidhur me tragjedinë e një dite më parë në klubin e natës në Koçan.
Janë 9 prokurorë që janë angazhuar në hetimet e çështjes, mes tyre dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Koçanit, dy prokurorë nga Shtipi si dhe 5 prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit.
Nga hetimet e deritanishme janë zbuluar disa mangësi të objektit ku zhvillohej festa që u shëndrrua në tragjedi.
Diskoteka nuk kishte rrjet hidratimi (fikse me ujë), kishte vetëm dy aparatë kundër zjarrit, janë ndezur mjete piroteknike në mënyrë të paligjshme në ambiente të mbyllura, në të gjithë objektin kishte vetëm një hyrje dhe dalje, objekti nuk kishte licencë të ligjshme për ushtrim aktiviteti, në kundërshtim me ligjin, brenda diskos janë lejuar dhe të mitur.
Gjatë ditës së djeshme policia ka ndaluar ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili kishte në përgjegjësi dikasterin për dhënien e licensave për funksionimin e klubeve të natës.
Nga zjarri në diskotekën “Pulse” humbën jetën 59 të rinj, dhe mbetën të lënduar 155 të tjerë, disa prej të cilëve vijojnë të jenë në spital në gjendje të rëndë për jetën.