Ngjarjet tragjike të javëve të fundit po dëshmojnë se siguria rrugore në Shqipëri është kthyer në një emergjencë kombëtare. Pas çdo aksidenti me viktima, institucionet dalin me deklarata, shtojnë kontrollet për disa ditë dhe premtojnë masa më të forta. Por sapo zhurma mediatike shuhet, gjithçka rikthehet në normalitet, derisa një tjetër tragjedi të marrë jetë njerëzish.
Aksidenti pranë TEG-ut, ku humbën jetën dy persona, u pasua pak ditë më vonë nga drama në Durrës, ku dy fëmijë u vranë teksa ndodheshin në trotuar dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Këto ngjarje tregojnë se në rrugët shqiptare nuk janë më të rrezikuar vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe këmbësorët, fëmijët dhe qytetarët që nuk kanë asnjë lidhje me shkeljet që çojnë në tragjedi.
Reduktimi i çdo aksidenti vetëm te faji i shoferit është një mënyrë e lehtë për të shmangur përgjegjësitë. Sigurisht që drejtuesit mbajnë përgjegjësi, por problemi është shumë më i thellë. Infrastruktura me mangësi, standardet e dobëta të autoshkollave, kontrolli i pamjaftueshëm teknik i automjeteve, mungesa e edukimit rrugor dhe kontrollet sporadike krijojnë një zinxhir dështimesh që përfundon me viktima.
Edhe Policia Rrugore ka një rol kyç në këtë betejë. Kontrollet intensive nuk duhet të shfaqen vetëm pas tragjedive për të qetësuar opinionin publik, por të jenë të përhershme dhe të mbështetura në analiza serioze. Ndërkohë, ndryshimet në Kodin Rrugor nuk mund të bëhen me logjikën e reagimit të momentit, por mbi bazën e ekspertizës dhe standardeve evropiane.
Shqipëria nuk ka më luksin të harrojë çdo aksident sapo kalojnë disa ditë. Çdo jetë e humbur duhet të shërbejë si alarm për të korrigjuar një sistem që po dështon në mbrojtjen e qytetarëve. Nëse institucionet vazhdojnë të reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia, rrugët shqiptare do të vazhdojnë të mbushin kronikën e zezë me viktima të pafajshme.