Pasditen e sotme, në fshatin Çukas të Lushnjes është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku një 21-vjeçar është gjetur i mbytur në ujërat e një kanali. Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme, A. C., 37-vjeç, kishte shkuar në komisariatin e Lushnjes për të denoncuar humbjen e kontaktit me djalin e xhaxhait, M. C., 21-vjeç, me banim në Barbullinjë.
Menjëherë pas këtij denoncimi, policia ka nisur kërkimet për të gjetur 21-vjeçarin, i cili dyshohet se vuante nga epilepsia. Trupi i pajetë i të riut është gjetur paraditen e kësaj të premteje nga polumbarët e RENEA-s në kanalin e fshatit Çukas i Ri të Lushnjës.
Polumbarët kanë nxjerrë trupin e pajetë nga kanali, që përdorej për vaditje. Dyshimet e policisë janë se 21-vjeçari ka humbur jetën nga vetëmbytja në këtë kanal. Grupi hetimor është angazhuar në sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë
Polumbarët e Reneas pas kërkimeve në një kanal me ujë në fshatin Çukas, gjejnë trupin e 21 vjeçarit që dyshohet se është mbytur mbrëmjen e djeshme.
Pas kallëzimit të bërë mbrëmjen e djeshme, në Komisariatin e Policisë Lushnjë, nga shtetasi A. C., 37 vjeç, banues në fshatin Barbullinjë, Lushnjë, se prej disa orësh kishin humbur kontaktet me djalin e xhaxhait, shtetasin M. C., 21 vjeç, banues në fshatin Barbullinjë, i cili vuante nga epilepsia, menjëherë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e tij.
Paraditen e sotme, me ndihmën e polumbarëve të Repartit Special Renea, eshtë bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit M. C., i cili dyshohet të jetë vetëmbytur në një kanal vaditës, në fshatin Çukas i Ri, Lushnjë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.