Trajneri i skuadrës së Delvinës u arrestua pas hetimeve të SPAK, ekipin e drejton mjeku

Trajneri i skuadrës së Delvinës u arrestua…

Shiko videon këtu!

Skuadra e futbollit të Delvinës prej të paktën një jave është pa trajner, pasi ky i fundit u arrestua nga Policia, në bazë të një hetimi të SPAK dhe Prokurorisë Gjirokastër për një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Markelian Alinani, dikur ish-futbollist i skuadrës së Bistricës në Delvinë, është prangosur si pjesë e një grupi prej të paktën 10 personash ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër kishte lëshuar masa sigurie. Prangosja e tij u bë në datën 4 mars!

Gjatë operacionit që në fakt nisi me një hetim nga SPAK, por më pas për moskopetencë i kaloi Prokurorisë Gjirokastër, policia sekuestroi disa celularë të dyshuar për përdorim të aktivitetit kriminal. Akuzat ndaj grupit ku bënte pjesë trajneri përfshinë disa vepra penale, mes tyre‘’Prodhim dhe shitja e narkotikëve’’ e kryer në bashkëpunim, ‘’Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’’, ‘’Përkrahje e autorit të veprës penale’’ dhe ‘’Moskallëzim Krimi’’.

Tashmë, në një kohë kur trajneri ndodhet në burg, drejtimin e skuadrës së Delvinës e ka marrë mjeku i ekipit, i cili përveçse u vjen në ndihmë lojtarëve kur pësojnë ndonjë dëmtim në ndeshje, bën dhe udhëzimin e tyre në fushën e lojës.

Sa i përket Markelian Alinanit, ai rezulton një person me precedentë të shumë penalë, figurë e njohur për policinë në të kaluarën. Ai është arrestuar disa herë në të shkuarën, mes tyre në vitin 2011 si pjesë e një grupi që trafikonin lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të Sarandës.

Në vitin 2014 Alinani u përfshi në një konflikt të dhunshëm, ndërsa në vitin 2021, Markelian Alinani u arrestua sërish me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, kësaj radhe nën dyshimet se ishte përfshirë në veprën penale të “paracaktimit të ndeshjeve sportive”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit