Tre të rinj janë arrestuar në Itali për vrasjen e 19-vjeçarit Youssef Rama Abdelaziz, i cili humbi jetën pas një përleshjeje me thikë në Crema, natën mes 11 dhe 12 korrikut. Sipas hetimeve, viktima u godit disa herë në gjoks dhe ndërroi jetë nga plagët e marra.
Karabinierët arrestuan tre persona të moshës 23-25 vjeç, mes tyre edhe një shtetas me origjinë shqiptare dhe dy të tjerë me origjinë afrikane. Njëri prej të dyshuarve u identifikua nga një dëshmitar okular, ndërsa hetuesit përdorën edhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë parkingut të supermarketit në Viale Repubblica, ku ndodhi ngjarja.
Sipas mediave italiane, përfshirë Ansa dhe “Il Giorno”, pista kryesore e hetimit është një përplasje mes dy grupeve të të rinjve, e mundshme si një larje hesapesh mes bandash rivale. Tre të dyshuarit pritet të dalin para gjyqtarit hetues më 13 korrik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e krimit.