Tre të rinj, të moshës 19, 23 dhe 25 vjeç, kanë rënë në prangat e Policisë së Himarës, pasi dyshohen se hynë me dhunë në banesën e një 70-vjeçari në fshatin Borsh dhe e kanosën me një imitues arme zjarri për t’i grabitur një shumë parash. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2026, ndërsa operacioni për zbardhjen e saj u kodua “Shuma”.
Hetimet zbuluan se autorët e dyshuar, A.Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë, A.T., 23 vjeç, dhe A.C., 19 vjeç, të dy banues në Vlorë, kishin mbajtur nën vëzhgim banesën e të moshuarit për dy ditë. Më pas ata kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendngjarje dhe për të realizuar planin e grabitjes. Pas kallëzimit të të dëmtuarit, policia organizoi veprime intensive hetimore që çuan në identifikimin dhe arrestimin e tyre.
Gjatë verifikimeve rezultoi se 19-vjeçari A.C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga gjykata për vepra penale në fushën e narkotikëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore ndaj tre të arrestuarve.