
As shiu, nuk i ka ndaluar tregtarët e Belshit që të dalin sërish në protestë dhe të kërkojnë të drejtën e tyre për të siguruar bukën e gojës. Ata kërkojnë nga Bashkia që të mos u zhvendoset tregu 4 km larg nga qyteti. Sipas tregtarëve, një vendim i tillë ndikon për keq në jetën dhe ekonominë e tyre, por edhe të banorëve.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të bindur bashkinë që të heqë dorë nga projekti që i shkatërron ata dhe ua vështirëson jetën, asnjë prej kërkesave të tyre nuk është marrë parasysh.
Kryebashkiaku Arif Tafani ka zgjedhur që në një situatë të tillë të fshihet e mos dal para qytetarëve të tij, por të nxjerrë si mburojë policinë bashkiake. Refuzimet e Tafanit të Belshit kanë qenë të përsëritura. Edhe në datën 29 prill, ai kundërshtoi t’i priste në takim, veprim ky që nxiti reagimin e dhjetëra tregtarëve të tregut industrial, të cilët hapën portën e jashtme të bashkisë duke u futur brenda institucionit.
Tregtarët u përplasën fillimisht me policinë bashkiake, e cila nuk i lejonte të futeshin në institucion. Më pas hynë në zyrën e sekretarit të bashkisë, Mustafa Çarçiu, duke kërkuar prej tij që të organizojë një takim me kryebashkiakun Arif Tafani.
Por pavarësisht kërkesës së tregtarëve për anulim të vendimit për zhvendosjen e tregut, sekretari i bashkisë Mustafa Çarçiu, nuk dha zgjidhje, duke u shprehur se largimin nga qyteti të tregtarëve e ka vendosur Këshilli Bashkiak.
Një vendim i tillë, i pakonsultuar më parë dhe me një vendimmarrje që prek jetën e qytetarëve dhe tregtarëve, Tafani ka zgjedhur të shikojnë interestat e tij, duke lënë mënjanë hallet e qytetarëve, aq sa po luan edhe me bukën e gojës së tyre.