Tregu i gazit/ Tre senatorë amerikanë kër*cënojnë me asgjèsim portin në Gjermani

Tregu i gazit/ Tre senatorë amerikanë kër*cënojnë…

Së fundi janë tre senatorë të njohur amerikanë, midis tyre ish-kandidati republikan për president të SHBA (2016) nga Teksasi, Ted Cruz, që kërcënojnë me sanksione “asgjësuese” një port në veri të Gjermanisë.

Në një letër javën e kaluar (05.08.) ata e kërcënojnë portin Sassnitz, në landin e Mecklenburg-Vorpomeranisë se do t’a shkëpusin nga “pikëpamja komerciale dhe financiare” nga SHBA.

Më tej ata shkruajnë se do të ndalojnë hyrjen e drejtuesve dhe aksionerëve të portit në SHBA e do t’u ngrijnë atyre pasurinë nën juridiksionin amerikan, po të mos u përmbahen ata sanksioneve që kanë vendosur SHBA ndaj firmave që po ndërtojnë Nordstream 2.

Është fjala për gazsjellësin prej 1.225 km të gjatë, që do të sjellë gaz nga Siberia dhe Shën Petersburgu drejtpërdrejt në Greifswald të Gjermanisë.

Porti gjerman i Sassnitzit vihet në shënjestrën amerikane pasi në të janë stacionuar aktualisht dy anije ruse, për të ngarkuar tubat e depozituar atje.

Aty ndodhen edhe rreth 140 punëtorë të tubacionit Nordstream 2.

Kërcënimet amerikane për sanksione nuk janë të reja. 

Në mes të korrikut, ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo deklaroi se gazsjellësi i Detit Baltik do të preket këtej e tutje nga një ligj, që lejon masa ndëshkimore kundër sipërmarrjeve që bëjnë biznese me Rusinë, Iranin apo me Korenë e Veriut.

Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump pyeti në twitter javët e fundit se kur Gjermania blen gaz nga Rusia, a ka kuptim që amerikanët ta mbrojnë Gjermaninë me trupat e tyre?

Gjermania ruan qetësinë

Përgjigjja nga Gjermania për letrën e senatorëve amerikanë ishte në linjën e reagimeve të mëparshme gjermane.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas deklaroi pas një takimi (11.08.) në Moskë me homologun rus Lavrov, se “asnjë shtet nuk ka të drejtë t’i diktojë Bashkimit Evropian politikën e vetë energjetike”.

Maas tha se i ka transmetuar ministrit Pompeo se, “sanksionet midis partnerëve  (janë) qartësisht rruga e gabuar”.

Ndërsa industrialistë gjermanë të Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane (BDI) e kritikuan me këtë rast ashpër “ndikimin në rritje të SHBA në projektet e furnizimit me energji të Evropës” që „rëndon seriozisht marrëdhëniet transatlantike”.

Në janar të këtij viti (13.01.), kancelarja Angela Merkel tha gjatë një vizite në Moskë se ajo “nuk i konsideron të drejta sanksionet jashtëterritoriale”.

Nga radhët e socialdemokratëve është kërkuar trajtimi nga gjykatat i veprimeve amerikane.

Por kjo është e vështirë, pasi për momentin sanksionet amerikane “jashtëterritoriale” nuk janë vendosur, amerikanët vetëm kërcënojnë me to.

SHBA: interesa sigurie apo interesa ekonomike?

Amerikanët thonë se gazsjellësi është rrezik sigurie për Evropën.

Presidenti Trump nënshkroi në dhjetor vjet një ligj, që e ndëshkon me sanksione çdo firmë që e ndihmon Gazpromin rus ta përfundojë  gazsjellësin në BE.

Por shumë vëzhgues mendojnë se veprimet amerikane shpjegohen me një drojë të SHBA se ato do të shesin më pak gaz të lëngët në BE, kur të përfundojë gazsjellësi i ri nga Rusia.

Evropianolindorët: të shqetësuar dhe aktivë

Kritikët e këtij projekti të furnizimit të drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Evropës me gaz nga Rusia janë të shumtë.

Më të vendosurit kundër Nordstream 2 janë Polonia, Shtetet Baltike dhe Ukraina.

Ato kundërshtojnë faktin që si tubacion nënujor Nordstream 2 i anashkalon vendet tranzit të Lindjes.

Ato druhen edhe se Rusia mund të sigurojë monopol për gazin në tregun evropian të energjisë, duke i marrë shtetet e varura nga furnizimi peng.

Për ta parandaluar këtë, fuqia kryesore ekonomike e ish-Bllokut lindor, veç protestave deri në Shtëpinë e Bardhë për Nordstream 2, ka ndërmarrë disa hapa.

Polonia synon të ndërtojë deri në fund të vitit 2022 një gazsjellës të ri, që do të lidhë Poloninë me fushat e gazit të Norvegjisë.

Njëkohësisht, autoriteti polak i mbikqyrjes së karteleve, UIKOK, ka shpallur gjoba si kundër Gazpromit rus, ashtu edhe kundër koncernit francez Engie, që merr pjesë në Nordstream 2: 48 milionë Euro kundër Gazpromit dhe 38 milionë Euro kundër Engie-së.

Polonia u kishte kërkuar atyre dokumenta për Nordstream 2 (që nuk ia dhanë), sepse sheh të prekura interesat e saj.

/Burimi: DW/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit