Tregu shqiptar "pushtohet” nga makinat aziatike

Tregu shqiptar “pushtohet” nga makinat aziatike

Tregu i automjeteve në Shqipëri po përjeton një ndryshim të dukshëm në preferencat e drejtuesve të mjetit. Sipas të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë regjistruar për herë të parë 58,444 mjete, duke shënuar një rritje prej 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2025.

Pjesën dërrmuese të këtyre regjistrimeve vijojnë ta zënë autoveturat. Nga totali, 46,446 janë autovetura, çka përbën 79.5% të të gjitha mjeteve të futura për herë të parë në qarkullim gjatë periudhës janar-korrik.

Ndryshe nga vitet e mëparshme ku dominonin tregjet tradicionale europiane, shifrat e reja tregojnë se mjetet me origjinë nga Azia po marrin primatin në Shqipëri.

Republika e Koresë kryeson renditjen e vendeve të origjinës me 25.5% të totalit, ndërsa Kina renditet e dyta me 16.2% të mjeteve të regjistruara. Së bashku, Koreja e Jugut dhe Kina përbëjnë 41.7% të të gjitha mjeteve të reja të regjistruara në vend përgjatë shtatë muajve të parë të vitit.

Pas Azisë, në listën e vendeve të origjinës renditen tregjet kryesore perëndimore. Gjermania përbën 11.9% të totalit, ndërsa Italia vijon me 11.7%. Të dyja këto shtete mbeten burimet kryesore europiane të automjeteve për tregun shqiptar.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë 8.3% të mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë kësaj periudhe, ndërsa Zvicra mbyll listën e tregjeve kryesore me 6.8% të totalit.

Edhe pse vendet europiane dhe SHBA mbajnë ende një peshë të rëndësishme, shifrat konfirmojnë se pesha kryesore në rritje i përket tashmë automjeteve me origjinë nga azia.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit