Mbrëmjen e djeshme, më 28 maj, rreth orës 22:45, një shpërthim u regjistrua brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Sipas informacioneve paraprake, lënda plasëse është vendosur pranë gjeneratorëve të institucionit dhe dyshohet se ishte tritol i prodhuar në mënyrë artizanale me bazë nitrat.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se shpërthimi mund të ketë qenë një tentativë për krijimin e kaosit ose për një arratisje të mundshme. Dyshohet se lënda eksplozive është hedhur nga jashtë rrethimit të burgut nga një person ende i paidentifikuar, i cili kishte mbuluar fytyrën me kapuç.
Sinjalizimi i parë erdhi përmes një telefonate në polici, ku u raportua një zhurmë e fortë brenda perimetrit të burgut. Në vendin e ngjarjes ndodhen disa gjeneratorë dhe kabina elektrike, por fatmirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar as dëme materiale dhe as persona të lënduar.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së instaluara në ambientet e brendshme dhe të jashtme të IEVP Fushë-Krujë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.