
Një natë më parë, kreut të FSHF (Federatës Shqiptare të Futbollit), Armand Dukës iu vendos një sasi e konsiderueshme lënde plasëse në derën e shtëpisë. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati të lënduar por vetëm u dëmtua porta e banesës. Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe UEFA.
Të shqetësuar mbi ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale të FSHF-së në datën 2 mars, UEFA do dërgojë në Tiranë zyrtarët e saj për të diskutuar lidhur me shqetësimet e vazhdueshme dhe letrat dërguar institucionit evropian të futbollit.
UEFA është shqetësuar edhe për sigurinë e finales së Conference League që zhvillohet në Tiranë në 25 maj të këtij viti.
Zyrtarë të UEFA-s thanë se “delegacioni i saj dëshiron të diskutojë çështjet aktuale dhe të ngrejë shqetësimet në lidhje me organizimin e sigurt të finales së Conference League dhe zgjedhet për presidentin e federatës në dritën e ngjarjeve të fundit”. UEFA e përshkroi ndërhyrjen e jashtme në futbollin shqiptar shkelje të rregullave të saj ligjore.