Tronditen arkat e Skënderbeut, klubi korçar humb gjyqin në FIFA me ish-yllin e skuadrës. Ja çfarë rrezikon

Tronditen arkat e Skënderbeut, klubi korçar humb…

Nuk kanë fund telashet me gjyqet, për klubin e Skënderbeut. Pas gjyqit të madh me UEFA-n, korçarët kanë humbur një tjetër gjyq, kësaj herë ne FIFA, duke u dëmtuar ndjeshëm nga ana financiare.

Bëhet fjalë për detyrimet e prapambetura karshi sulmuesi nga Gambia, Ali Soue, i cili u aktivizua me Skënderbeun si i huazuar në sezonin 2017-2018, ku edhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit. Pas shkëlqimit me korçarët, 25-vjeçari, në pronësi të Kievos, u largua drejt kampionatit bullgar, ku firmosi me CSKA Sofie.

Soue bëri kërkesë në janar 2019 në FIFA për t’u paguar 38144 euro, por në mars e tërhoqi ankesën, pasi kishte gjetur një akord me klubin që t’i paguhej një shifër prej rreth 23 mijë eurosh në dy këste. Ai nuk mori kurrë të dytën prej 10 mijë eurosh e kësisoj, kërkoi në maj 2019 nga FIFA që të merrej me këtë çështje.

Në shkurt 2020, Komisioni i FIFA-s I ka dhënë të drejtë Soue, i cili tashmë do të përfitojë rreth 24 mijë euro që i mbeteshin nga detyrimi fillestar kontraktual që kishin korçarët ndaj tij, si dhe një shifër ekstra prej 5 mijë eurosh si rrjedhojë e vonesës.

Kjo është një goditje e rëndë për arkat e klubit korçar, në vendim parashikohet se në momentin kur Soue do të jepte me shkrim zyrtarisht numrin e llogarisë në të cilën duheshin kaluar paratë, Skënderbeu do të kishte 45 ditë kohë për ta paguar.

Përndryshe, hynte automatikisht në fuqi bllokimi i merkatos kombëtare dhe ndërkombëtare deri në tre dritaret e radhës e pas tyre, do të kishte ndëshkime edhe më të rrepta disiplinore.

Një bllokim në merkato që do të komplikonte edhe më shumë ekzistencën e korçarëve të cilët presin përgjigje nga Gjykata Federale në Zvicër për përjashtimin nga kompeticionet e UEFA-s.

DOSJA E PLOTË E VENDIMIT TË KOMISIONIT TË FIFA-S:

https://resources.fifa.com/image/upload/sowe.pdf?cloudid=iv7lomkwjahjijtngmj0

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit