Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara ka marrë një lajm shumë pozitiv vetëm pak ditë përpara përballjes vendimtare ndaj Belgjikës në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.
FIFA ka vendosur të anulojë kartonin e kuq të marrë nga Folarin Balogun gjatë sfidës kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, duke i hapur rrugën sulmuesit të jetë i gatshëm për ndeshjen e rëndësishme ndaj belgëve.
Sipas raportimeve, federata ka pranuar se vendimi i arbitrimit ishte i gabuar dhe, si masë disiplinore, ka pezulluar arbitrin e ndeshjes për një vit.
Vendimi u përshëndet menjëherë edhe nga Donald Trump, i cili reagoi përmes platformës së tij, Truth Social.
“Faleminderit FIFA që bëtë gjënë e duhur dhe përmbysët një padrejtësi të madhe!”, shkroi Trump.
Edhe pse futbolli nuk ka qenë kurrë në qendër të profilit të tij publik, Trump mban një marrëdhënie të afërt me presidentin e FIFA, Gianni Infantino.
Miqësia mes tyre është shfaqur edhe më herët, kur Infantino i dërgoi trofeun e artë të Kupës së Botës në Zyrën Ovale, duke i dhënë Trump mundësinë ta shihte nga afër.
Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, Trump dhe Infantino pritet të jenë së bashku në ceremoninë përmbyllëse të turneut, ku do t’i dorëzojnë trofeun skuadrës që do të shpallet kampione e botës.