Trump-i paralajmëron përfundimin e shtyrjes së tarifave, rreziku i një lufte të re tregtare rritet

Trump-i paralajmëron përfundimin e shtyrjes së tarifave,…

Afati i 9 korrikut po afron dhe mund të ndezë sërish luftën tregtare, duke rritur kostot për bizneset dhe çmimet për konsumatorët amerikanë

Presidenti Donald Trump pritet të ringjallë përplasjen tregtare javën e ardhshme, pasi periudha e shtyrjes për tarifat e gjera është drejt fundit. Nëse nuk do të ketë një tjetër zgjatje, kjo mund të sjellë rritje çmimesh për produktet e importuara dhe pasoja direkte për bizneset dhe konsumatorët në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa zyrtarë të administratës së tij kanë lënë të kuptohet se shtyrja mund të zgjatet, vetë Trump-i deklaroi të martën se nuk ka ndërmend të shtyjë më afatin dhe se vendet janë tashmë të njoftuara për normat e reja të tarifave. Sipas tij, bisedimet kanë qenë të vështira pasi shumë vende janë “mësuar keq” nga dekadat e përfitimeve të njëanshme në tregti me SHBA-në.

“Do t’ju dërgojmë një letër të shkurtër, një ose një faqe e gjysmë, ku thuhet se është nder të bëjnë biznes në Amerikë,” tha Trump nga Air Force One.

Trump-i zbuloi gjithashtu se kishte arritur një marrëveshje me Vietnamin, ku kompanitë amerikane do të paguajnë 20% tarifë për mallrat vietnameze dhe 40% për ato që vijnë përmes Vietnamit nga vende të tjera. Në këmbim, Vietnami do të eliminojë tarifat për mallrat amerikane.

Tarifat u shpallën me bujë në një aktivitet në prill të quajtur “Dita e Çlirimit”, ku SHBA vendosi taksa ndaj dhjetëra vendeve – përfshirë 24% për importet japoneze dhe 20% për produktet e BE-së. Trump-i pretendoi se përmes kësaj mase do të ndalte dekada abuzimesh ndaj ekonomisë amerikane nga partnerët tregtarë.

Shpallja e tarifave shkaktoi një tronditje të menjëhershme në tregjet financiare, duke humbur deri në 5 trilionë dollarë në vlerë të tregut në S&P 500 dhe duke rritur kostot e huamarrjes për qeverinë. Për të shmangur kaosin, një javë më pas, Trump-i njoftoi pezullimin e përkohshëm të shumicës së tarifave për të negociuar marrëveshje me rreth 75 vende brenda 90 ditëve.

Megjithatë, deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare. Vetëm me Mbretërinë e Bashkuar është përcaktuar një kornizë fillestare, por detajet mbeten të paqarta. Ndërkohë, bizneset amerikane përgatiten për përballjen me taksat e reja, që mund të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.

Analistët paralajmërojnë se rikthimi i tarifave mund të shkaktojë sërish luhatje në tregje, edhe pse disa investitorë mendojnë se Trump do të zgjasë afatin për shumicën e partnerëve. Sidoqoftë, pa një vendim të qartë, pasiguria vazhdon.

Ndërkohë, tarifat ekzistuese kanë mbetur në fuqi, përfshirë një taksë prej 10% për të gjitha importet, si dhe tarifa të shtuara për çelikun, aluminin dhe automjetet. Në maj, SHBA dhe Kina arritën një marrëveshje për një pauzë 90-ditore të tarifave reciproke, duke ulur përkohësisht normat e taksave amerikane ndaj mallrave kineze në 30%.

Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, tha të martën se pasiguria për tarifat po e pengon bankën qendrore të ndërmarrë ulje të mëtejshme të normave të interesit. Ai theksoi se ndërkohë që kompanitë janë përpjekur të grumbullojnë mallra përpara tarifave, konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta në verë dhe vjeshtë.

Trump-i sugjeroi se marrëveshja me Vietnamin mund të përfshijë shitjen e SUV-ve amerikane në tregun vietnamez me tarifa zero. Megjithatë, fuqia blerëse në Vietnam mbetet e kufizuar, pasi paga mesatare mujore është rreth 600 dollarë.

Presidenti amerikan përmendi edhe një marrëveshje të afërt me Indinë, vend ndaj të cilit më parë kishte kërcënuar me një tarifë 26%. Ai shprehu optimizëm për një qasje të drejtë në tregun indian nëse pala tjetër pranon të liberalizojë kushtet.

Negociatat me Japoninë dhe BE-në kanë ngecur. Japonia nuk është e gatshme të blejë më shumë oriz amerikan, duke rrezikuar një marrëveshje përfundimtare. Në rast të skadimit të pezullimit, Japonia do të përballet me një tarifë 25% për automjetet, si dhe 24% për produkte të tjera.

Ndërkohë, BE-ja ka kërcënuar me kundërmasa nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 9 korrik, përfshirë vendosjen e tarifave ndaj mallrave amerikane në vlerë deri 100 miliardë dollarë, si dhe kufizime për importet e skrapit dhe produkteve kimike.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se nuk kanë patur kohë të mjaftueshme për të nisur negociata serioze me partnerët më të vegjël tregtarë. Kjo krijon një tjetër nivel pasigurie, pasi disa vende të vogla kanë ndikim të madh në furnizime të caktuara. Për shembull, Madagaskari – furnizuesi kryesor i vaniljes për SHBA-në – do të përballet me një tarifë 47% pas përfundimit të pezullimit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit