Në një lëvizje që të kujton menjëherë modelin e njohur shqiptar të ERTV-së (Edi Rama TV), ku pushteti anashkalon mediat tradicionale për t’i transmetuar informacionet vetë dhe “pa filtra”, Shtëpia e Bardhë ka lançuar zyrtarisht kanalin e saj televiziv online 24-orësh, të quajtur “Trump TV: The Essentials Station”.
Shërbimi nisi transmetimin të hënën, më 21 shtator në orën 19:00, në një kohë kur përplasja e administratës së Donald Trump me mediat amerikane ka arritur kulmin. Ngjashëm me strategjinë e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili prej vitesh përdor platformën e vet për të transmetuar aktivitete qeveritare pa ndërmjetësimin e gazetarëve, Shtëpia e Bardhë e prezanton “Trump TV” si një hapësirë ku publiku mund të ndjekë fjalimet, njoftimet dhe momentet kryesore të administratës në një vend të vetëm.
Zëvendës-asistenti i presidentit, Kaelan Dorr, e përshkroi kanalin në rrjetin X si një transmetim të momenteve më të rëndësishme “pa filtra”, ndërsa transmetimi i parë nisi me fjalimin e Trumpit në Mount Rushmore.
“Trump TV” vjen vetëm pak ditë pasi Trump u ndaloi hyrjen në Shtëpinë e Bardhë gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico, duke i akuzuar për raportime të rreme. Si përgjigje, të treja mediat ngritën një padi në gjykatën federale kundër administratës Trump, duke argumentuar se heqja e aksesit shkel Amendamentin e Parë.
Përplasja ka paralizuar edhe sistemin e përbashkët të mbulimit televiziv, pasi rrjetet e tjera kryesore pezulluan pjesëmarrjen në shenjë solidariteti me CNN-in. Në këto kushte, administrata amerikane ka zgjedhur të marrë vetë rolin e medias, duke mbuluar e transmetuar drejtpërdrejt aktivitetet presidenciale.
Ndërsa administrata e paraqet projektin si një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, kritikët dhe organizatat e medias e kanë cilësuar këtë lëvizje si një hap drejt krijimit të një meidaje të kontrolluar nga shteti, një fenomen i njohur tashmë në Shqipëri, por që po aplikohet në përmasa globale nga administrata e Trumpit.