
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mohuar se po shqyrton kandidimin për një mandat të tretë, duke theksuar se do të qëndrojë në detyrë vetëm për tetë vite, siç e parashikon Kushtetuta amerikane.
“Do të jem një president tetëvjeçar, do të jem një president dy-mandatesh. Gjithmonë kam menduar se kjo ishte shumë e rëndësishme,” tha Trump gjatë një interviste për emisionin “Meet the Press with Kristen Welker” në NBC, që do të transmetohet të dielën.
Komentet vijnë pasi kompania e tij, The Trump Organization, ka shitur kapele me mbishkrimin “Trump 2028”, duke ngjallur spekulime se ai mund të synojë të qëndrojë në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të dytë në janar 2029.
Trump tha se ka marrë shumë kërkesa nga mbështetësit për të qëndruar më gjatë në detyrë, por shtoi se një gjë e tillë nuk është pjesë e planeve të tij:
“Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë,” u shpreh ai. “Por kjo nuk është diçka që dua të bëj.”
Edhe pse në të kaluarën ka përmendur në mënyrë provokuese një mandat të tretë apo të katërt, Trump ka sqaruar se ato deklarata kishin për qëllim talljen me “mediat e lajmeve të rreme”.
Në intervistë, e zhvilluar nga rezidenca e tij në Florida, Trump përmendi disa figura që mund ta pasojnë në të ardhmen, si nënkryetari JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.