Trump pret Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë: Kemi ndërtuar një miqësi vërtet të madhe

Trump pret Xi Jinping në Shtëpinë e…

Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping janë takuar në Shtëpinë e Bardhë, në një takim të shumëpritur mes liderëve të dy fuqive ekonomike, ku në fokus janë tregtia, Tajvani, inteligjenca artificiale dhe lufta në Iran.

Në nisje të bisedimeve, Trump vuri theksin te marrëdhënia e tij personale me Xi Jinping, duke e cilësuar atë si një “miqësi vërtet të madhe”, të ndërtuar sipas tij mbi respektin reciprok dhe interesat e dy popujve.

“Që nga zgjedhjet e mia të para në vitin 2016, presidenti Xi dhe unë kemi krijuar një miqësi, një miqësi vërtet të madhe”, deklaroi Trump.

Xi, nga ana tjetër, mbajti një ton më të fokusuar te marrëdhëniet mes dy vendeve, duke argumentuar se interesat amerikane dhe kineze janë të ndërthurura dhe se konkurrenca mes tyre duhet të jetë e kontrolluar.

“Duhet të jetë një garë për të kapur njëri-tjetrin, jo një përleshje ku njëri fiton dhe tjetri humbet”, tha Xi.

Ai paralajmëroi gjithashtu se dy vendet duhet të shmangin atë që njihet si “kurthi i Tukididit”, një koncept që i referohet rrezikut të konfliktit kur një fuqi në rritje sfidon një fuqi dominuese.

Tajvani dhe tregtia në qendër të bisedimeve

Një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë mbetet Tajvani. Sipas medias shtetërore kineze Xinhua, Xi i kërkoi Trumpit që ta trajtojë me kujdes çështjen e Tajvanit.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të Kinës dhe nuk e përjashton përdorimin e forcës për ta vendosur ishullin nën kontrollin e tij. Ndërkohë, SHBA-ja vazhdon të furnizojë Tajvanin me armë dhe ka deklaruar se kundërshton ndryshimet e njëanshme të status quo-së.

Të mërkurën, dy vendet ranë dakord të zgjasin me dy muaj armëpushimin e tyre tregtar, ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje më afatgjatë.

Në tryezë është edhe teknologjia, veçanërisht eksportet e çipave të avancuar dhe inteligjenca artificiale.

Xi deklaroi se SHBA-ja dhe Kina kanë përgjegjësi që zhvillimi i inteligjencës artificiale të mbetet nën kontrollin njerëzor dhe të përdoret për mirëqenien e njerëzve.

Ndërkohë, konflikti në Iran është një tjetër çështje e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Administrata Trump ka kërkuar që Pekini të përdorë ndikimin e tij mbi Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa Kina ka kundërshtuar veprimet ushtarake amerikane dhe izraelite në rajon.

Takimi vjen në një moment kur Uashingtoni dhe Pekini vijojnë të konkurrojnë në tregti, teknologji dhe ndikim gjeopolitik, pavarësisht përpjekjeve të dy liderëve për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të marrëdhënieve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit