
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvillar njw takim në Miçigan, ku para mbështetësve të tij më besnikë deklaroi me vetëbesim se “nuk keni parë asgjë akoma”, duke sinjalizuar se mandati i tij i dytë do të sjellë ndryshime edhe më të mëdha për Amerikën.
Në një fjalim të mbushur me premtime të forta, Trump theksoi disa nga ato që ai i cilëson si sukseset e para të qeverisjes së tij në 100 ditët e para.
“Po i japim fund makthit të inflacionit më të rëndë në historinë tonë. Po shporrim marrëzinë e transgjinisë nga qeveria, po ndalojmë indoktrinimin e fëmijëve që ka çuar në plehëra miliarda dollarë me abuzime e mashtrime”, u shpreh ai, duke sulmuar drejtpërdrejt politikat liberale dhe lëvizjet progresiste që kanë dominuar debatet sociale në SHBA vitet e fundit.
Një nga pikat kryesore të fjalimit të tij ishte situata në kufi, ku Trump deklaroi se emigracioni ilegal është në rënie dramatike. “Numri i emigrantëve ilegalë ka rënë me 99.99%. Kjo nuk është vetëm fjalë – janë të dhëna zyrtare nga administrata jonë për mbrojtjen e kufijve,” tha ai, duke marrë duartrokitje të forta nga turma.
Në vijim, ai nënvizoi se misioni i tij kryesor mbetet “ruajtja e ëndrrës amerikane” dhe “kthimi i madhështisë” së vendit. “Po e bëjmë Amerikën sërish madhështore dhe po e bëjmë shpejt,” shtoi Trump, duke ripërsëritur sloganin e tij të famshëm.
Fjalimi i Trump në Miçigan nuk ka kaluar pa reagime. Përfaqësues të komuniteteve LGBTQ+, organizata për të drejtat e njeriut dhe figura të opozitës politike kanë dënuar gjuhën e përdorur nga presidenti amerikan, duke e quajtur “përçarëse” dhe “nxitëse të urrejtjes”.