
Presidenti Donald Tramp postoi fotografinë e tij me veshjen papnore vetëm 11 ditë pas vdekjes së Françeskut të gjeneruar me inteligjencë artificiale .
Në fotografi duket kreu i Shtëpisë së Bardhë me veshje të bardhë, kapele papnore dhe një kryq të madh të varur në qafë. Kjo foto e krijuar me inteligjencë artificiale erdhi pas deklaratës me shaka të Trampit, ku tha se do të pëlqente të bëhej Papë. “Do të më pëlqente të isha Papa. Do të ishte zgjedhja ime numër një”, tha ai.
Mirëpo kjo foto, që vjen pak ditë para mbajtjes së konklavës për zgjedhjen e Papës së ri, nxiti kritika të shumta ne rrjet. Shumë katolikë kanë kërkuar heqjen e fotos, që siç thonë tregon mungesë respekti për liderin e kaluar dhe të ardhshëm të kishës.
“Ti je Antikrishti”, i shkruan dikush. Gjithashtu, dikush shkroi: “Je turpi i popullit amerikan”. Një person tjetër shtoi: “Sa herë që mendoj se nuk mund të bëhet më keq… bëhet më keq”.
Kritikat kanë vazhduar edhe në faqen zyrtare të “Instagramit” të Shtëpisë së Bardhë (rezidenca zyrtare e presidentit të SHBA-së).
“Si mund ta postoni këtë në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë?”, “Mungesë respekti!”, “Po e turpëron popullin amerikan”, shkruhej në disa komente.
Papa Françesku vdiq të hënën e Pashkëve pas një sëmundjeje të gjatë, por papritur, në moshën 88 vjeç. Të gjithë kardinalët që nuk mbushën 80 vjeç një ditë para vdekjes së Papës zgjedhin në një konklavë pasardhësin e Papa Françeskut.