Trupi i Artan Myrtajt u la 1 orë në rrugë, nëna e të ndjerit mbërriti para policisë

Trupi i Artan Myrtajt u la 1…

Kanë kaluar 24 orë nga ekzekutimi i 44-vjeçarit Artan Myrtaj, i njohur në Sarandë edhe si “Tani i Rruzhdiut”, por atentati në mes të qytetit ende nuk ka marrë një përgjigje. Autorët nuk janë identifikuar dhe as lokalizuar, ndërsa motori me të cilin dyshohet se u larguan pas vrasjes vijon të mos jetë gjetur.

Kontrollet e policisë janë shtrirë në Sarandë, Ksamil dhe Delvinë, por deri më tani pa rezultat konkret. Myrtaj u ekzekutua në qendër të qytetit, vetëm 67 metra larg Komisariatit të Sarandës. Një distancë që ngre pikëpyetje të forta për sigurinë në qytetin bregdetar, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Edhe më i rëndë është një tjetër detaj i raportuar pas ngjarjes: në vendin e krimit mbërriti nëna e viktimës përpara drejtuesve të policisë së Sarandës.

Saranda, ndërkohë, po përballet me një seri ngjarjesh të rënda kriminale gjatë këtij sezoni veror, me disa persona të vrarë dhe plagosur. Ekzekutimi i Myrtajt në zemër të qytetit e rikthen edhe një herë në vëmendje përplasjet mes grupeve kriminale që veprojnë në zonë. Sipas të dhënave të bëra publike, ngjarja dyshohet se lidhet me konfliktet mes grupit të Sarandës, të drejtuar nga Ramdan Zoto, alias Canaj, i cili ndodhet aktualisht në burg, dhe një grupi tjetër.

Vetë Myrtaj kishte qenë më herët në radarët e policisë. Më 18 korrik 2025, ai rezulton i arrestuar në lidhje me një ngjarje ku dy persona, me inicialet G.H. dhe E.L., mbetën të plagosur pas një konflikti për çështje pronësie në bregdet.

Dy ditë pas plagosjes, 44-vjeçari u arrestua nga Policia e Sarandës, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Tashmë, 24 orë pas ekzekutimit, pyetjet mbeten të njëjta: Kush e kreu atentatin? Ku janë autorët? Dhe si mundën të largoheshin nga qendra e Sarandës, vetëm pak metra larg komisariatit, pa u identifikuar dhe pa u kapur?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit